Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur nga Rinasi për vendimin që ushtria të garantojë sigurinë e aeroportit, ku edhe i ka kthyer përgjigje presidentit, Ilir Meta.
Sipas saj presidenti i Republikës do të marrë informacionin e duhur, por vendimi nuk është në kompetencën e tij.
Në deklaratën e saj, Xhaçka ka sqaruar se nuk jemi në gjendje lufte, por për shkak se konçensionari nuk garanton dot sigurinë e aeroportit, që është një objekt i rëndësisë së veçantë, këtë gjë do ta bëjë ushtria.
“Kam ardhur në komandën e Forcave të Armatosura për të marrë informacion dhe për të parë gjërat që po planifikohen deri në masat përfundimtare që do marrë kompania koncensionare. Nuk ka dislokim trupash, nuk kemi luftë, nuk kemi as emergjencë, kemi cënim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së veçantë. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioriteti ynë është sigurimi i qytetarëve”, tha Xhaçka.
“Asesi kjo gjë nuk i takon Presidentit, kompetencat i ka dikush tjetër. Jemi këtu për të parë zbatimin e Ligjit”, sqaroi ministrja.
Pak më parë presidenti Meta i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA se ku është bazuar në kushtetutë vendimi për ruajtjen e aeroportit me forca ushtarake.