Kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për kreun e opozitës, Lulzim Basha, që të ulen së bashku në tryezë për t`u bashkuar në këtë situatë të vështirë që po kalon vendin. Një ditë pasi Basha u shpreh se “nuk është koha për propagandë dhe politikë”, kreu i Qeverisë tha se nuk e kupton dot refuzimin e opozitës për t`u përfshirë në këtë proces.
“Më mundon pak mungesa e një elementi. Skepticizmi i opozitës për t`u përfshirë në këtë proces dhe për të pasur përfaqësuesit e vet. Nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Politika duhet të bëjë mrekullira. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë”, tha Rama.
Ndaj, kreu i Qeverisë i kujtoi Lulzim Bashës se tashmë është kohë për bashkim. “Nuk dua të bëj asnjë polemikë por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza ata që nuk e shohin dot njëri-tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllojnë si hipokrizi ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë”, tha Rama.