KLSH kritika Çuçit për midhjen dhe peshkun: Nuk kanë kontroll

AKTUALITET


Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri një auditim për performacën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, në “Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës”. Raporti i KLSH vren shumë problematika në sektorin e peshkimit, duke nisur nga mungesa e kuadrit ligjor për të rregulluar këtë sektor. Sipas KLSH, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dështoi të miratonte aktet ligjore dhe nën ligjore për të rregulluar sektorin e peshkimit.

“MBZHR nuk ka hartuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore duke dështuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës. Ligji i Akuakulturës i miratuar në vitin 2016 ende nuk ka gjetur zbatim si rezultat i mos miratimit të Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë duke penguar kështu zhvillimin e këtij sektori. Bashkëpunimi jo i mirë midis MBZHR-së dhe institucionit në varësi të saj DSHPA-së si dhe komunikimi i dobët midis strukturave të MBZHR-së, janë tregues direkt të mos menaxhimit efektiv të veprimtarisë së peshkimit dhe akuakulturës”, thotë KLSH.


KLSH gjeti problematika të tjera, ku një ndër to është mungesa e pajisjes së anijeve të peshkimit me pajisje identifikimi dhe lokalizimit automatik. Sipas KLSH, mungesa e këtyre pajisjeve tek anijet e peshkimit, rrezikon që peshku i kapur nga to të mos eksportohet jashtë vendit, duke u cilësuar “peshkim i paligjshëm”.

“Si rezultat është e pamundur të kryhet vëzhgimi i aktivitetit të anijeve të peshkimit, identifikimi dhe lokalizimi i tyre automatik pasi ato nuk mund të transmetojnë automatikisht të dhënat mbi identifikimin, datën dhe orën e pozicionit, shpejtësinë dhe kursin e anijes, të dhënat mbi të gjitha sasitë për secilin lloj të zënë dhe të mbajtur në bord, etj. Mungesa e sistemit të sinjalizimit satelitor rrezikon të mbyllë eksportet e peshkut për Shqipërinë, duke e klasifikuar aktivitetin e peshkimit si të paligjshëm, pa regjistruar dhe parregulluar”.

Gjithashtu, KLSH vren problematika që lidhen me monitorimin dhe kontrollin e sektorit të peshkimit ku Inspektorët e Peshkimit “nuk kanë burime njerëzore dhe mjete logjistike të përshtatshme për të inspektuar vijën bregdetare”. Ndërkohë, një tjetër problem është ajo e infrastrukturës në portet e peshkimit, ndërsa vrehet gjithashtu, se flota detare e peshkimit është vjetëruar. Një problem serioz, që KLSH gjen në auditim, është mungesa e certifikimit, etiketimit dapo depurimit të midhjes së Sarandës, duke bërë që qytetarët të konsumojnë midhje pa asnjë kontroll.

“Qendra e Grumbullimit dhe Depurimit të Midhjes Sarandë nuk siguron që e gjithë sasia e prodhuar e midhjeve të kalojë në qendër për çertifikim, etiketim apo depurim sipas klasifikimit, pra sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe çertifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore. Konsumatorët konsumojnë midhje pa asnjë kontroll”.

Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit jep 43 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Këto rekomandime synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në këtë auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.




Skip to toolbar