Identifikohen autorët, plagosën çiftin në Allias

AKTUALITET


Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët e dyshuar për grabitjen  dhe plagosjen e çiftit Laze në Allias. Sipas policisë në kërkim është shpallur shtetasi me inicialet A.B. me origjinë nga Skrapari.

Gjeneralitetet dhe fotografia e tij u është shpërndarë të gjitha Komisariateve në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera, në mënyrë që të bëhet shoqërimi i tij në momentin e parë që të konstatohet. I dyshuari i parë është një banor i zonës në Allias me precedent penal, i cili nuk është gjetur në banesë nga kontrollet dhe është shpallur në kërkim. I dyti është i afërm i familjes Laze. Policia dyshon se i afërmi të dhënat për hyrjen në banesë mund t’i ketë marrë nga i njohuri i tij që punonte në biznesin e çiftit Laze.


Sipas policisë personat që kanë tentuar të grabisin dhe më pas kanë plagosur çiftin e bashkëshortëve e kanë njohur mirë banesën e familjes Laze dhe kanë ditur rreth planeve dhe lëvizjes së tyre.

Për këtë arsye, Policia ka shoqëruar disa prej tyre, të cilëve u ka marrë dëshmitë në lidhje me ngjarjen.

Petrit dhe Afërdita Laze mbetën të plagosur disa ditë më herët kur dy persona të maskuar tentuan të grabisin shtëpinë e tyre. Gjendja e 61-vjeçarit që mori një plumb në bark, pas ndërhyrjes kirurgjikale është stabilizuar, po ashtu edhe e gruas së tij, që ka një plagë në kofshë nga të shtënat e njërit prej autorëve.




Skip to toolbar