Kokainë e armë për fundjavë, arrestohen 10 persona në Tiranë

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin “Fundjava” me kontrolle të befasishme në të gjithë Tiranën për kapjen e personave në kërkim, duke vënë në pranga 10 persona.

Si rezultat i operacionit, te Sheshi ‘Nënë Tereza’, nga kontrolli i ushtruar nga forcat “Shigjeta”, në një çantë dore brenda në automjet, në pronësi të drejtuesit të automjetit, A.Z, 26 vjeç, banues në Tiranë, është gjetur një pistoletë, e markës “Glock”. Në përfundim të veprimeve drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.


Nga ana e Patrullave të Përgjithshme dhe Specialistëve për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë, është bërë kapja dhe ndalimi i personave D. R., 45 vjeç dhe G.M.,38 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, të shpallur në kërkim për veprat penale ‘’Plagoje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim‘’ dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 09.05.2019, mbi kopshtin Botanik në Tiranë, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas kanë goditur me sende të forta në kokë dhe trup, duke e plagosur rëndë shtetasin G. H.

Po në vijim të operacionit në orët e para të mëngjesit, nga kontrolli i kryer në ambientet e lokalit me pronar dhe menaxher shtetasin Sh.I, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve gjetën në banak të fshehura 11 doza të dyshuara me lëndë narkotike kokainë. Në këto kusht,e policia arrestoi pronarin 45-vjeçar të lokalit, i dënuar më parë për veprën penale të “mashtrimit” si dhe u proceduan penalisht dy persona të tjerë.

Gjithashtu po gjatë kontrolleve nga Patrullat e Përgjithshme u ndaluan edhe 6 persona të tjerë të shpallur në kërkim.




Skip to toolbar