Armando Sadiku ka folur sot në konferencë për shtyp nga Durrësi, ku prej ditësh është grumbulluar ekipi ynë kombëtar. Sadiku është shprehur se trajneri Edy Reja i ka dhënë frymëmarrje dhe liri lojtarëve, duke krijuar një klimë pozitive. “Ndihem më mirë kur jam i lirë. Kjo ka qenë forca jonë, të flisnim me njëri-tjetrin dhe të krijojmë grupin. Ambjeti që ka krijuar trajneri është pozitiv”.
“Gjëja që më pëlqeu më shumë te trajneri ka të bëjë me komunikimim. Ai ka bërë që çdo futbollist të ndihet i rëndësishëm. Kur ai të vjen dhe të flet, duke të dhënë besim, të bën të mendosh se do të luash”, ka thënë Sadiku.
Më tej, gjatë fjalës së tij sulmuesi kuqezi ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Islandës, ndaj të cilës Shqipëria luan në transfertë. “Trajneri ka punuar në stërvitje skemën që duhet praktikuar ndaj Islandës, 3-5-2. Ishte stërvitje intensive”, thotë Sadiku, ndërsa beson te arritja e një rezultati pozitiv.
“Islanda është ekip që luan mirë në lojën në ajër. Vetë rezultatet flasin: ka shkuar në Europian dhe Botëror. Kanë eksperiencë tashmë”. Njëherë kam luajtur ndaj tyre. Duhet të harrojmë ato dy ndeshje që kemi luajtur ndaj tyre, duhet të fokusohemi te kjo. Atmosfera është ndryshe dhe e mirë, ndaj duhet të përgatitemi”, ka thënë sulmuesi elbasanas.
Ndryshimi i brezave dhe mungesa e minutave me klubet për lojtarët, janë dy nga arsyet pse kombëtarja ka pasur probleme në dy vitet e fundit.
“Ndryshim brezi, nga Franca ka pasur prurje të reja. Të gjithë e dimë që shumica e lojtarëve kishte probleme në klubet përkatëse. Gjysma e skuadrës nuk ka luajtur, ndaj ndikon në ndeshje. Me Panuccin, ky ishte problemi. Me rregullat që kishte ai, në fillim nuk krijuam raport shumë të mirë”, ka thënë Sadiku.
Armando Sadiku ka treguar se karriera sezonin e ardhshëm do të vijojë me Levanten. “Kam dy vjet ende me Levanten në kontratë. Isha në huazim te Lugano sepse vija nga një dëmtim i rëndësishëm. Për fat e përfundova me sukses te Lugano, pasi shkuam në Europa League. Tani në korrik kthehem te Levante dhe do të nis grumbullimin atje”, është shprehur sulmuesi kuqezi.