Komisionerja e KiE: Rishikim paketës Anti-shpifje

AKTUALITET


Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç ka shprehur shqetësimin për miratimin në Kuvendin e Shqipërisë së paketës Anti-shpifje për median dhe i bën thirrje Kuvendit që ta rishikojë këtë paketë ligjore duke e përshtatur atë me standardet e Këshillit të Evropës.

“Mësova me shqetësim se këtë javë, Parlamenti shqiptar synon të miratojë dy projektligje, të njohura si “paketa antishpifje”. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësime. Disa parashikime nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, thekson eurokomisionerja.


Mijatoviç shpreh shqetësimin për faktin se kjo paketë i jep fuqi për të vendosur gjoba organeve rregullatorë dhe nuk e lë këtë në dorën e gjykatës. Pikërisht kjo ka qenë edhe dispozita që është kundërshtuar më së shumti nga shoqatat e gazetarëve në Shqipëri, por edhe nga OSBE.

“Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate. Po ashtu edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias online mund të minojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend. Është me rëndësi që të sigurohemi që interneti të mbetet një forum i hapur, publik ku të mbizotërojë parimi i vetërregullimit, përfshirë këtu edhe për median online.

Për këto arsye, kërkoj prej deputetëve të Parlamentit shqiptar që të rishikojnë draftet në fjalë dhe t’i sjellin në linjën e standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës”, sugjeron eurokomisionerja.




Skip to toolbar