Schengen Ballkanik? Vetëvendosja, kundër projektit të Ramës

KOSOVA


Ndërsa Kryeministri Rama nuk heq dorë nga ideja e zonës Schengen në Ballkan, Lëvizja Vetëvendosje nuk e shikon me optimizëm këtë lëvizje, të paktën ashtu siç është parashtruar deri më sot nga kreu i qeverisë shqiptare. Arbër Zaimi, Koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, u shpreh në “Real Story” se në Kosovë, kjo nismë shikohet me skepticizëm dhe nuk ka mbështetje. “Është si një Jugosllavi minus 2, plus Shqipërinë. Kjo nuk shihet me shumë kënaqësi në Kosovë”, tha Zaimi.

Kryeministri Rama deklaroi se vijon t’i qëndrojë idesë për heqjen e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe nëse mund të ketë kosto për tregjet vendase. “Unë do t’i heq kufijtë e këtij Rajoni. Ne paralelisht me ecurinë e procesit te integrimit, duhet të nxisim integrimin rajonal”, tha kryeministri. Gazetari Balla këmbënguli nëse kjo mund të dëmtojë tregun shqiptar dhe atë kosovar, duke përmendur edhe shembullin e taksës së vendosur nga qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj për produktet serbe, konkretisht ilaçet që vinin nga Serbia, të cilat hynin në Kosovë me çmim më të lirë dhe me cilësi më të lartë. Por, Rama deklaroi se kjo nuk dëmton qytetarët.


Arbër Zaimi vuri në dukje se e ka ndjekur ligjërimin e Ramës, por ky është një mini-Schengen, i cili nuk i bën mirë as qeverisë shqiptare. “Sot në këtë rajon, Serbia ka forcë më të madhe ekonomike dhe ushtarake dhe një bashkim i tillë, do ta forconte dhe më shumë këtë shtet. Ne nuk jemi kundër një mini-schengen, por mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, pa Serbinë, e cila jo vetëm do të forconte shqiptarët, por edhe qeverinë e Shqipërisë”, tha Zaimi duke shtuar se “projekti i schengen ballkanik mund të bëhet vetëm me një kusht, që në këtë zonë të jenë të përfshira edhe Zagrebi e Budapesti”.

Megjithatë, Vetëvendosja ka konfirmuar atë që tha Rama për shkëmbim territoresh, që SHBA nuk ka kërkuar një gjë të tillë. “Faktikisht ne nuk na është kërkuar asnjëherë nga diplomatët e SHBA shkëmbimi i kufijve. Ata kërkojnë zgjidhje që të gjendet mes Kosovës dhe Serbisë, por jo sesi të jetë zgjidhja. Shqipëria dhe Kosova këtu duhet të jenë në të njëjtën linjë”, përfundoi Zaimi.




Skip to toolbar