KQZ anulon shortin për renditjen e kandidatëve për kryetarë bashkie

Më të fundit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka anuluar shortin që do të përcaktonte renditjen në fletën e votimit, të kandidatëve për disa nga bashkitë e vendit.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi u shpreh se shorti do të shtyhet, ka marrë kërkesë nga një subjekt zgjedhor, që fillimisht shorti të hidhet për partitë politikë e më pas për kandidatët.


Ndër të tjera, Celibashi nënvizoi se për 3 kandidatë, duhet pritur përfundimi i shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe Kolegj.

“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie. Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqënëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi ai.

Shorti do të zhvillohej për kandidatët për kryetarë bashkie në: Tiranë, Kamëz, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korcë, Lezhë dhe Shkodër.




Skip to toolbar