Kryeprokurori, KLP nxjerr nesër renditjen e kandidatëve

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që brenda 24 orëve të publikojë listën me renditjen e tre prokurorëve në garë për Prokuror të Përgjithshëm. Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku  dhe dy prokurorët Olsjan Çela dhe Fajtona Memçaj, të cilët kandidojnë për postin e kryeprokurorit, dolën të mërkurën para KLP, ku u intervistuan dhe dhanë pikëpamjet e tyre, jo vetëm për punën e prokurorisë, por edhe për reformën në drejtësi. Për rreth një orë, secili ka prezantuar eksperiencën e tyre profesionale dhe i janë përgjigjur edhe pyetjeve që anëtarët e KLP i drejtuan atyre.

Kryeprokurorja Marku theksoi gjatë fjalës së saj se në këtë mandat ka hetuar vepra të ndryshme penale duke nisur nga vrasjet dhe gjakmarrje ndërsa shtoi se misioni i saj do të jetë pastrimi i administratës nga persona që kanë probleme me ligjin. Marku u përgjigj lidhur me akuzat për njëanshmëri politike, duke sjellë në vëmendje rastin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u shkarkua pas hetimit nga ana e institucionit që ajo drejton. Kandidatja tjetër, Fajtona Memçaj deklaroi se emërimi i saj si prokurore është bërë duke respektuar ligjin dhe në asnjë moment Presidenti dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk e shkelën atë. Ndërsa Olsjan Çela ka deklaruar se posti e kryeprokurorit është në hallkën e parë garantuese të të drejtave ligjore. Po ashtu, ai deklaroi se procesi i vettingut po e ndihmon prokurorinë të punojë me dinjitet dhe pa presione politike.


Tashmë, anëtarët e KLP do të rendisin tre prokurorët sipas pikëve dhe pritet që brenda 24 orëve të publikohet renditja e tyre. Kandidatët kanë të drejtë që brenda tre ditësh të ankimojnë vendimin e KLP. Më pas KLP dërgon këtë listë në Kuvend, i cili brenda 30 ditëve, duhet të zgjedhë një nga tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, duke i dhënë fund odisesë me Prokuror të Përkohshëm. Përzgjedhja e tyre është e ngjashme me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pas renditjes nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.




Skip to toolbar