Xhaferllari jo magjistër? KPK: Ka humbur statusin e gjyqtares

AKTUALITET


Nëse Besnik Muçi, i dekretuari i parë i Metës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, mbetet ende në ankth nëse do shkarkohet nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, Marsida Xhaferllari mund të cilësohet me probleme edhe më të mëdha, pasi komisioni i vettingut nuk ka marrë një vendim për të, duke deklaruar se ajo e ka humbur statusin e magjistratit dhe duhet të testohet nga fillimi në shkollën e magjsitraturës.

Në mars të vitit 2019, kur ajo kërkoi rivlerësim në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, shumica e trupës gjykuese arsyetoi se Marsida Xhaferllari, e cila mban postin e Kryeinspektores pranë Inspektoratit të ish-KLD, kishte humbur statusin e magjistratit dhe nuk mund të vendoste konfirmimin ose jo të saj.


Gjatë seancës dëgjimore një pjesë e mirë e saj u fokusua në argumentet e KPK dhe Xhaferllarit mbi çështjen e statusit. KPK dhe ONM shprehën dyshime nëse ajo ishte ende gjykatëse. Megjithatë Xhaferllari këmbënguli se gëzonte statusin e magjistrates, duke qenë se ligji i aplikuar kur ajo kishte lënë punën si gjykatëse për një vend në Ministrinë e Drejtësisë, nuk kishte parashikime për humbjen e këtij statusi.

Pyetjes së vëzhguesit ndërkombëtar dhe shqetësimit të tij për shkëputjen për një kohë të gjatë nga sistemi i drejtësisë, Xhaferllari iu përgjigj duke thënë se nuk ishte shkëputur asnjëherë dhe se puna që kishte bërë kishte qenë gjithmonë e lidhur me drejtësinë.

Sipas vendimit të zbardhur të publikuar në muajin maj, dy nga anëtarët e KPK-së arsyetuan se për shkak se kishte punuar jashtë gjyqësorit, Marsida Xhaferllari e kishte humbur statusin e magjistrates në vitin 2011. Relatori Roland Ilia dhe kryesuesja Firdes Shuli ishin të mendimit se për këtë arsye, ish-gjyqtarja duhej t’i nënshtrohej sërish një testimi në Shkollën e Magjistraturës.

Në këto kushte, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit doli në përfundimin se “objekti ishte bërë i pamundur” dhe nuk mund të kishte një vendim. Por, këtë vendim ajo e ka ankimuar dhe çështja e saj është në gjykim në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, ku seanca ndaj saj në dhomë këshillimi është lënë më 27 nëntor.

Marsida Xhaferllari ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2013 dhe deri kur u shkri KLD në fund të vitit 2018, Xhaferllari ka mbajtur postin e Kryeinspektores në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.




Skip to toolbar