Prokuroria rrëzoi akuzat “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” për kryedemokratin Lulzim Basha, në lidhje me lobimin rus në SHBA. Argumenti që dha prokuroria, nisur nga disa dokumente publikuar në Realstory.al, ishte se për këto hetime nevojitej dëshmia e personit kyç, Nicolas Muzin, që përfitoi plot 675 mijë dollarë për të lobuar në favor të Partisë Demokratike në SHBA.
Por, nga ana tjetër, prokurorët që kanë hetuar dosjen ndaj Lulzim Bashës, kanë arritur të zbulojnë se 500 000 mijë dollarë, nga 675 mijë të dhëna gjithsej për lobimin, janë dhënë “cash”, pra jo në rrugë bankare ashtu siç do duhej të ndodhte.
“Në rastin konkret kemi hedhje të dhënash jo të përputhura me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një Kompani me administratorë të lidhur me aktivitet biznesi me shtetas rusë. Është fshehur shuma prej 500 000 dollarësh që është dhënë “cash” nga Subjekti Partia Demokratike te kompania e huaj private për të bërë lobim në SH.B.A. me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor të vitit 2017”, citohet nga dokumentat e Prokurorisë.
Nisur nga ky fakt ngrihen shumë dyshime. Si mund të paguhen këto para cash? Ku i gjeti Partia Demokratike 500 000 dollarë “cash”? Cila ishte forma e pagesës së parave cash ndaj lobistit amerikan Nicolas Muzin? Me valixhe? Shumë pikëpyetje ngrihen të cilat kërkojnë përgjigje, pasi shuma prej 500 000 dollarë nuk është një shumë që mund të fshihet.
Por, nisur nga ky fakt, duket me sens përplasjet e supozuara në Prokurorinë e Tiranës, mes dy prokurorëve që kanë firmosur mbylljen e hetimeve, dhe atij që ka qenë kundër së bashku me drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, që duket se ka bllokuar dërgimin e dosjes në gjykatë për gjykim. /Realstory.al/