Kurti në “Real Story”, rekord në audiencë

#NËRADAR


Mbi 60 mijë persona ndoqën live emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, me të ftuarin e mbrëmjes liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti. Qytetarët shqiptarë treguan interes të jashtëzakonshëm për të dëgjuar një prej figurave me kontroverse të hapësirës politike shqiptare, që foli ekskluzivisht në “Real Story” mbrëmjen e të enjtes. Numri i personave që ndoqën live emisionin arriti deri në 4200 ndjekës vetëm në faqen e “Realstory.al” në Facebook, ndërsa emisioni u transmetua live edhe në faqen zyrtare të portalit “RealStory.al” në internet.

Interesi i lartë i shqiptarëve për të ndejkur Albin Kurtin në “Real Story” lidhet me temat e trajtuara në emision, dhe shumë pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, që lidheshin drejtpërdrejt me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet pas shumë vitesh në opozitë. Albin Kurti preku tema thelbësore në emision, nga marrëveshja e krijimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që tashmë duket drejt finalizimit.


Megjithëse, nëse kjo gjë do të dështonte, sipas Albin Kurtit, vendi do të shkonte përsëri në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Ndërkohë, ai foli dhe për tema specifike dhe shumë të ndjeshme, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, siç është procesi i dialogut me Serbinë. Kurti u shpreh se për këtë çështje ndaj Serbisë ka kërkesa të veçanta, siç është kthimi i borxhit që i ka Kosovës. Tjetër temë ishte marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku sipas liderit të Vetëvendosjes, duhet thellim i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ekonomike por jo vetëm.

Për mini-Shengenin Ballkanik, Albin Kurti pranoi se do të shkojë në takimet me liderët e tjerë të Ballkanit, por ai dha një këshillë, që Vuçiç të mos trajtohet si lideri udhëheqës i këtij procesi. Ai la të kuptohet se do t`i jepte dorën Aleksandër Vuçiç. Tema të tjera të rëndësishme, ishin ajo e kufirit me Malin e Zi, tashmë i miratuar në Kuvendin e Kosovës, por që sipas Albin Kurtit, do të bëhet çmos që të rishikohet kjo marrëveshje. Të gjitha këto tema, mbajtën të mbërthyer qytetarët shqiptarë në ekranin e News 24 dhe në “Realstory.al”. Kjo dëshmoi dhe njëherë, se për Shqipërinë, Kosova është gjysma tjetër e trupit, dhe sa herë flitet për të, vëmendja është maksimale./Realstory.al/




Skip to toolbar