Kushtetuesja, PD mbron Metën: Nuk ka asnjë afat

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka kundërshtuar votimin e parlamentit i cili zgjodhi me shumicë të cilësuar votash dy anëtaret e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Bardhi e cilësoi procedurën e ndjekur nga Kuvend një puç kushtetues që synon kapjen e këtij institucion i nga kryeministri Rama. Njëlloj si presidenti Meta, edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Bardhi akuzon KED, e cila sipas tij me porosi të Ramës eliminoi garën për Kushtetuesen, ndërsa theksoi se në kushtetutë nuk parashikohet asnjë afat 30 ditor për presidentin.

“Edi Rama, nëpëmjet KED, ka paracaktuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj e kishte jetike kapjen e KED, të cilin e bllokoi për dy vjet, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, derisa e mori nën kontroll me Ardian Dvoranin dhe Arta Markun. I gjithë procesi i kryer nga Kryetari i KED, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës, ka sjellë një produkt antikushtetues dhe që eleminon garën.


Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin”, është shprehur Bardhi ndërsa e cilësoi votimin e parlamentit anti kushtetues.

Sipas Bardhit kuvendi duhet  të kishte ndjekur radhën e përzgjedhjes së kandidaturave nga secili institucion, duke thënë se nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme për të mos e bërë këtë. Ndërkohë që këtij argumenti në seancë, i ktheu përgjigje Taulant Balla i cili tha se situata është e jashtëzakonshme pasi në Gjykatën Kushtetuese janë 8 vakanca dhe jo një dhe nga ana tjetër Gjykata e Lartë është jofunksionale dhe s’mund të bëjë propozimet e saj.

“Nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme që rradha e përzgjedhjes që ka përcaktuar Kushtetuta të mos respektohet. Mungon vetëm Gjykata e Lartë, që është një rrethanë e pavarur nga vullneti i Kuvendit dhe i Presidentit. Prandaj edhe rradha që ka caktuar Kushtetuta, për Presidentin dhe Kuvendin, është e detyrueshme të zbatohet. Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Presidentit në këtë rast ishte i domosdoshëm, aq më tepër, kur emrat në listat e të dyja institucioneve janë të njëjta. Duke shkelur rradhën e caktuar nga Kushtetuta dhe duke tentuar që t’i imponojnë Presidentit kandidatët që ai ka të drejtë të zgjedhë, Edi Rama dhe Kuvendi, kanë kryer një akt të rëndë antikushtetues, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

Ai gjithashtu tha se nuk është e sakonsionuar në kushtetutë se presidenti ka afat 30 ditor për të zgjedhur anëtarin e Kushtetueses. “Alibija se Presidentit i ka kaluar afati 30 ditor i përzgjedhjes së një kandidati, rrëzohet nga Kushtetuta.  Në Kushtetutë, ndryshe nga Kuvendi, Presidenti nuk ka asnjë afat. Përpara çdo ligji, Presidenti është i detyruar t’i bindet Kushtetutës, e cila e detyron të respektojë rradhën e përgjedhjes së anëtarit të dytë, pas Kuvendit. Puçi kushtetutes i Edi Ramës ndaj një Gjykate Kushtetuese të pavarur nga politika, cënon interesin e qytetarëve shqiptarëve për të patur tek Gjykata Kushtetuese një garant të besueshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, tha Bardhi.




Skip to toolbar