LDK refuzon Kurtin: Osmani kandidate për kryeministre, ndryshe jo koalicion

KOSOVA


Letrës së Albin Kurtit ku propozonte që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor,  nuk i është vonuar edhe përgjigja e LDK-së. Sërish përmes një letre publike,  Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë mundësi.

LDK shprehet se ky propozim e dëmton seriozisht interesin e përbashkët dhe se gara kalon nga me të tjerët, në mes tyre. Osmani është zgjedhur në mënyrë unanime, shprehet LDK, ndërsa cilëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa orientim të qartë.


Në letër thuhet gjithashtu se LDK është e gatshme për koalicion me VV qoftë para apo pas zgjedhjeve, por vetëm me Vjosa Osmanin kryeministre.

LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet. Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi.” shkruhet në letrën e LDK-së.

Afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve në KQZ është të premten në mesnatë dhe deri tani, janë deklaruar zyrtarisht dy koalicione, AAK- PSD dhe Nisma Socialdemokrate-AKR.




Skip to toolbar