Analiza në ‘Le Monde’: Navalny, Blinken, Merkel dhe gazi rus

BOTA


Nga Sylvie Kauffmann, editorialiste në gazetën Le Monde

‘’Dënimi i Alexei Navalny risjell në skenë pyetjen e vështirë të gazsjellësit Nord Stream 2. Laku shtrëngohet; Angela Merkel rezikon ta gjejë veten të izoluar. Ekziston një precedent, të cilin shefi i ri i dilpomacisë amerikane e njeh shumë mirë.’’


Më 1987, një i ri brilant, i diplomuar në Harvard dhe Columbia, shkruan një libër gjeopolitik mbi një episod të luftës së ftohtë, Ally versus Ally (Aleati kundra Aleatit). Ky libër me temë ‘’Amerika, Europa dhe kriza e gazsjellësit siberian’’- është jashtëzakonisht interesant, por ndoshta nuk justifikon një çmim tepër të lartë, që shkon deri në 447 dollarë në ditët e sotme në internet. 

Në moshën 25 vjeçare, autori, Antony J. Blinken, ishte atëherë totalisht i panjohur. Që atëherë ai ka ndjekur rrugën e tij. Statusi i tij aktual shpjegon pa dyshim interesin e papritur për këtë libër. Antony Blinken drejton tani diplomacinë amerikane dhe si për ironi, historia e Ally versus Ally duket se po përsëritet pothuaj katër dekada më pas, pikërisht në momentin kur ai merr detyrën. Me Alexei Navalny në rolin e elementit pështjellues.

Më 1982 europianët ngrenë krye

Çështja e gazsjellësit gjermano-rus Nord Stream 2, një nga të parat çështje që zoti Blinken do të gjejë mbi tavolinën e punës në zyrën e tij në Departamentin e Shtetit, ka në fakt pamjen e një déjà-vu-je. Në fillim të viteve 1980, Franca dhe Gjermania Perëndimore (Republika Federale Gjermane) negociojnë me Moskën dyfishimin e furnizimit të Europës me gaz sovjetik nga një zonë gazmbajtëse në Siberi. Në SHBA, Donald Regan nuk e sheh këtë manovër me sy të mirë; ai dyshon varësinë energjitike të Europës nga Perandoria e të keqes, i trembet transferimit të teknologjisë dhe do të evitojë faktin që ky treg të shërbejë për të pasuruar Bashkimin Sovjetik. Një bashkim firmash europiane dhe filiale të firmave amerikane është angazhuar të ndërtojë gazsjellësin siberian. Në dhjetor 1981, me preteksin e ligjit të luftës në Poloni, Uashingtoni vendos sanksione ndaj Bashkimit Sovjetik, të cilat godasin firmat europiane të implikuara të ndërtimin e gazsjellësit. 

Por europianët ngrenë krye. François Mitterand dhe Helmut Schmidt nuk e anulojnë kontratën me sovjetikët. Në qershor 1982, presidenti Reagan vendos një embargo totale mbi naftën dhe gazin e Bashkimit Sovjetik. Por Europa, në atë kohë me 10 anëtarë, rrefuzon të ndjekë SHBA-të në aplikimin e këtyre sanksioneve. Atëherë Uashingtoni revokon licensat e shfrytëzimit të dy kompanive industriale franceze të nxjerrjes së metaleve, të cilat përdornin teknologji amerikane. Titullari i kohës i ministrisë franceze të industrisë, Jean-Pierre Chevènement, bën thirrje për solidaritet europian dhe betohet se do të reduktojë varësinë teknologjike franceze nga SHBA-të. Kjo çështje shqëtëson dhomat e biznesit në SHBA, të cilat ndërhyjnë tek presidenti Reagan. Reagan hap rrugë, duke hequr sanksionet në nëntor 1982.

Antony Blinken nxjerr nga ky episod një moral shumë interesant. Ai gjykon se europianët kishin iluzione se, duke intensifikuar marrëdhëniet ekonomike me Bashkimin Sovjetik do të mund të zbusnin Kremlinin. Por Shtëpia e Bardhë e kishte gabim kur rezikonte të sakrifikonte marrëdhëniet me aleatët e saj europianë në strategjinë e saj për një presion maksimal mbi Moskën. Ndërkohë që do të duhej të prevalonte uniteti i aleancës. 

Tema e sanksioneve vjen sërish në tryezë

A do të dijë shefi i ri i diplomacisë amerikanë të kujtohet për këtë mësim 40 vjet më pas? Kjo është pyetja që ngriti në dhjetor analisti Chris Miller në Foreign Policy. Kjo pyetje ndoshta do të ngrihet më shpejt sesa ai shpresonte dhe kjo për shkak të Alexei Navalny-t. Tentativa e helmimit të opozitarit rus në Novitchok, e pastaj arrestimi i tij më 17 janar dhe dënimi më 2 shkurt me 3.5 vite burg, risjellin në tryezë çështjen e sanksioneve kundra Rusisë.  

Clément Beaune, sekretari francez i shtetit për çështjet europiane, deklaroi për Francë Inter se – ‘’Duhet të jemi të qartë, sanksionet nuk mjaftojnë. Atëherë çfarë mund të bëhet tjetër? Natyrisht Nord Stream 2’’.

Ai shtoi se Nord Stream 2 është një opsion tek i cili të shkojnë sytë, edhe pse në fund të fundit është një vendim që i përket Gjermanisë. Këtë herë Franca nuk është pjesë e projektit, megjithë faktin që ka një pjesmarrje minore të firmës frnceze Engie. Në këtë rast Franca nuk shqetësohet më për të shprehur publikisht dilemat e saj të mëdha mbi projektin. Ndërkohë që për një kohë të gjatë ajo ka folur vetëm me zë të ulët, e detyruar nga solidariteti franko-gjerman. 

Në fakt asgjë nuk është e thjeshtë; SHBA-të kanë imponuar rishtazi sanksione mbi firmat e implikuara në këtë gazsjellës, ndërkohë që Franca dhe europianët e tjerë e gjykojnë të papranueshme këtë strategji amerikane të ekspansionizmit të sanksioneve. 

Laku shtrëngohet. Parlamenti Europian është shprehur me një maxhorancë absolute për ndërprerjen e punimeve të këtij gazsjellësi, megjithëse ato janë realizuar tashmë në masën 94%. Kjo temë krijon debate të forta në Gjermani, ku të gjelbrit kërkojnë pezullimin e punimeve. Presidenti i shoqërisë Nord Stream 2, pronë e gjigandit rus Gazprom, nuk është askush tjetër përveç ish kancelarit Gerhard Schröder, i cili nuk e fsheh miqësinë e tij me presidentin rus Vladimir Putin.

Në Uashington situata ka ndryshuar. Joe Biden nuk ka për regjimin represiv e të korruptuar të Putinit ndjeshmëritë që kishte Donald Trump. Atij nuk i pëlqejnë as Nord Stream 2 dhe devijimi i tij në Ukrainë, ndërkohë që SHBA-të kërkojnë aktivisht të sjellin gazin e tyre në tregun e Europës qendrore. Nga ana tjetër, presidenti Biden ka premtuar të forcojë lidhjet me aleatët europianë, të dobësuara nga paraardhësi Trump. Kjo është një nga prioritetet e sekretarit të shtetit, Tony Blinken. Në këtë kontekst, mosmarrëveshjet mbi gazsjellësin janë bezdisëse.

Europa nuk ka më 10 anëtarë, por plot 27 dhe kancelarja Merkel do të gjendet e izoluar. Qarkullon një zhurmë se Uashingtoni do të ishte i gatshëm të diskutonte mbi gazsjellësin Nord Stream 2 nëse Berlini propozon koncensione. Nqs kjo është e vërtetë, Angela Merkel ka interes ta shtrëngojë dorën që mund t’i zgjatet. / Përgatiti: Albi Xhunga




Skip to toolbar