Mazhoranca largohet nga Komisioni për zgjedhjet, Alibeaj: Duan të na pengojnë

Më të fundit


Mes debateve dhe pa dakordësi, mbledhja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet është mbyllur.  Anëtarët e maxhorancës braktisën mbledhjen, duke mos marrë pjesë në votimin e rregullores.

Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj u detyrua të mbyllë diskutimet pasi nuk plotësohej kuorumi. Sipas tij mazhoranca po përdor strategji per te penguar punen e Komisionit.


Ai njoftoi se mbledhja e radhës do të jetë më 27 tetor.

“Kjo është një strategji e tyre për ta bërë të pamundur mbledhjen e komisionit. Dy ishin propozimet e palës tjetër që nuk u ra dakord dhe ka një arsye. E para drejtimi i komisionit. Ligji thotë se komisioni drejtohet nga kryetari dhe cakton datën, orën dhe rendin e ditës. Propozimi tjetër ishte më i rëndë dhe që demaskon qëndrimin e PS. Ligji e përcakton qartë, bëhet fjalë për të drejtën e cdo anëtari të komisionit për të kërkuar marrjen e provave dhe që kjo e drejtë pranohet pa votim. Të thërriten dëshmitarë, të paraqiten dokumenta. Pra e drejta për të hetuar. Komisioni Hetimor në këtë rast është kërkuar nga opozita. Propozimi që kishte sjellë zoti Naco dhe që me të drejtë nuk u ra dakord ishte që e drejta për të thirrur dëshmitare, sipas tyre duhet ti nënshtrohej votimit. Pra shumicës socialiste. Kjo është në mënyrë flagrante në kundërshtim me ligjin.

Baza normative për funksionimin e komisioneve hetimore është e plotë. Komisioni e ka të gjithë bazën normative për të funksionuar me forcë të plotë. Për këtë arsye në datën 27 ora  11 është caktuar seanca e radhës.  E kuptoj që ka një strategji për te penguar punën e komisionit”, tha Alibeaj.

Më tej Alibeaj u shpreh se “Do të thirren dëshmitarët, do të merren dokumentet dhe më pas do të shohim konkluzionet”




Skip to toolbar