Konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të mbahet më 17 shkurt, ndërkohë që Bashkimi Europian do të japë ndihmesën e tij për rindërtimin e vendit pas tërmetit tragjik që goditi vendin më 26 nëntor. Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen tha në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kroacisë që merr presidencën e radhës së BE-së, se gjatë muajve në vijim do të bëhet çdo përpjekje e mundur për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe një rol domethënës në këtë drejtim do të luaj samiti i Zagrebit ku do të mblidhen liderët e shteteve anëtare të unionit.
“Jemi të lumtur që konferenca e donatorëve do të zhvillohet me 17 shkurt, pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë. Do të përpiqemi të ndihmojmë Shqipërinë në fazën e rindërtimit. Muajit e ardhshëm janë të rëndësishëm për Balkanin Perëndimor”, tha Ursula Von Der Leyen.
Presidentja e KE shprehu bindjen se marrja e presidencës së BE-së nga Kroacia që është një vend që sapo ka hyrë në Bashkimin Evropian, do të thotë më shumë punë dhe përpjekje për zgjerimin e mëtejshëm të BE dhe hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Samiti i Zagrebit do të jetë mjaft i rëndësishëm, për të vënë para procesin e zgjerimit. Duhet të reflektojmë si ta përmirësojmë procesin e anëtarësimit. Do të përpiqemi të bëjmë të pamundurën për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që dy vendet të plotësojnë kriteret e duhura për të arritur këtë. Do punojmë për të vënë para procesin e zgjerimit. Do të përmirësojmë këtë. Do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën për anëtarësimin dhe procesin e negociatave per të dy vendet dhe që të plotësojnë kriteret e duhura”, tha Ursula Von der Leyen, e cila njoftoi gjithashtu se BE po punon në drejtim të miratimit të një metodologjie të re për anëtarësimin në BE të këtyre shteteve.
“Duhet të prezantojmë një metodologji para samitit të Zagrepit. Është diçka që vlen të përmendet se vetë Kroacia e ka të freskët eksperiencën e një vendi të tillë që u bë së fundmi pjesë e BE. Besoj se do punojmë për çështje që janë ngritur tashmë dhe do të gjejmë një rrugë për Shqipërinë dhe Maqedoninë,” theksoi ajo.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën përgjigje pozitive nga samiti i Brukselit për çeljen e negociatave për shkak të vetos që vuri presidenti francez, Macron i cili kërkoi që të pezullohej zgjerimi i mëtejshëm i BE, para se ky union të reformojë më parë veten e tij, nisur dhe nga përpjekja e Britanisë për të dalë nga BE.