Më 8 shtator hyn në fuqi marrëveshja Itali-Shqipëri për patentat

AKTUALITET


Duke nisur prej këtij 15 gushti, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për pajisjen me leje drejtimi, e njohur ndryshe patenta. Një ndër këto rregulla është ajo që i mundëson qytetarëve shqiptarë, rezidentë në Itali, dhe atyre që udhëtojnë drejt Italisë me mjetet e tyre, që të mos kenë më nevojë të nxjerrin patentë ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se duke nisur nga 8 shtatori, hyn në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit.

“Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019  Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Më tej, ai shpjegon se marrëveshja prek edhe qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë deri në 3 muaj drejt Italisë me mjetet e tyre. Sipas ministrit Cakaj, pas 8 shtatorit nuk do të nevojitet me leje drejtimi ndërkombëtare për të udhëtuar drejt Italisë. “Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit. Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende. Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përfundon Gent Cakaj.



Skip to toolbar