“Më vjen turp për mënyrën se si në Britani…”/ Historiania: Shqiptarët mikpritës, duhet të jesh guximtar t’i hapësh derën dikujt që s’e njeh

Më të fundit


Historiania britanike, Bettany Hughes theksoi se një ndër tiparet më të rëndësishme që ka vënë re tek shqiptarët gjatë eksplorimit të saj është mikpritja. Siç u shpreh ajo gjatë intervistës me gazetarin Sokol Balla në emisionin ‘Real Story’, “duhet të jesh shumë guximtar t’i hapësh derën dikujt që nuk e njeh”.

Ajo komentoi gjithashtu edhe etiketimet nga politikanët dhe raportimet nga mediat britanike të bëra kohët e fundit lidhur me shqiptarët dhe largimin e tyre drejt shtetit anglez. Historiania theksoi se ndihet e turpëruar për mënyrën se si Shqipëria dhe shqiptarët janë pasqyruar në vendin e saj.


Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Gjithmonë kemi diskutuar me njëri-tjetrin dhe si vend e si komb jemi përballur me shumë paragjykime. Ishte shumë e vështirë t’i bindje të huajt dhe t’u thoshe:  Nuk jemi ashtu siç po mundoheni të na shihni. Dhe ja ku vjen Bettany dhe thotë: Këta janë shqiptarët. Dhe ju keni mendim shumë më të mirë nga sa kemi ne për veten. Çfarë mendoni se i bën shqiptarët shqiptarë?

Bettany Hughes:  Besoj se mikpritja është një prej tipareve kryesore, dhe nëse keni parë atë filmin e parë që kemi realizuar, aty tregojmë historinë e Lord Bajronit që erdhi në Shqipëri dhe e pritën me shumë dhurata.

Sokol Balla:  U befasova me një prej përqafimeve…!

Bettany Hughes: Pikërisht, ishim atje dhe na doli kjo Nona shumë e bukur, kjo gjyshe që doli nga bahçja e saj. Ajo nuk na njihte, nuk e dinte nëse ishim njerëz të mirë dhe miqësorë, por prapëseprapë nguli këmbë. Nuk fliste anglisht, por e kuptuam me gjuhën e ‘shenjave’: “Hajdeni brenda, duhet të bëjmë çaj dhe nuk do ikni derisa t’ju nxjerr pak raki dhe arra e shegë shtëpie”. Kaluam disa momente të jashtëzakonshme dhe ky ishte vetëm një shembull nga një pasdite. Kështu që, doemos kemi guximin e mikpritjes, sepse duhet të jesh guximtar t’i hapësh derën dikujt që nuk e njeh. Kjo më la mbresë. Dhe gjëja tjetër besoj është pasoni që njerëzit kanë për peizazhin rreth tyre. Tek udhëtojmë normalisht na presin producentë dhe trupa vendase dhe ata me entuziazëm na çojnë në vende të vogla në male duke na thënë se këto vende i mbajnë mend nga fëmijëria dhe se duhet të shkojmë aty. Pra besoj se ata ngazëllehen nga kjo botë e bukur në të cilën jetoni. Kështu që, do të thoja se mikpritja dhe dashuria për bukuritë natyrore të Shqipërisë janë dy tipare që i kanë qëndruar kohës.

Sokol Balla:  Si ia bëtë me ushqimin, sepse e di që jeni vegjetariane? Si mbijetuat pa ngrënë mishin tonë?

Bettany Hughes:  Me ironi po flisni. Nuk më duket se po tretem. Ju keni djathë fantastik, perime të jashtëzakonshme dhe i vetmi rast kur mund të vija në pikëpyetje mbijetesën ishte nëse njerëzit ofendoheshin ku u thosha se “Nuk kam ngrënë ndonjëherë mish”. Nuk kam ngrënë ndonjëherë mish ose peshk që kur kam lindur, dhe nuk do mund të filloja tani. Na u desh të bindnim njerëzit për këtë pjesë. Faktikisht më shkon goja lëng kur mendoj bukën e sapo pjekur, kosin e shtëpisë dhe verërat fantastike që bëni. Dhe sa i përket asaj që thatë për perceptimin e njerëzve për Shqipërinë, kjo është diçka që dua t’ua tregoj të gjithëve, sepse këtë njerëzit duhet ta marrin vesh që këtu ka një parajsë të ushqimeve të mira.

Sokol Balla: Faktikisht, jemi bërë lajm i madh në MB për dy arsye. Njëra anë doemos është turizmi. Ju nuk jeni britanikja e parë që bie në dashuri, faktikisht thuhet që Lord Bajroni

ra në dashuri, dhe gojëdhëna thotë që ra në dashurinë e vërtetë.

Bettany Hughes:  Po.

Sokol Balla: Ju jeni personi i dytë që takoj që e dashuron kaq shumë Shqipërinë. Por fatkeqësisht siç e dini ka një arsye tjetër pse Shqipëria dhe shqiptarët janë bërë lajm në MB. Dhe këtu besoj se ju po ndihmoni për vendosjen e një ekuilibri ndërmjet lajmeve dhe realitetit. Nuk po i quaj lajme të mira, por realitet.

Bettany Hughes:  Pikërisht. Keni patjetër shumë të drejtë!  Gjatë periudhës së filmimit dhe kur doli episodi i parë i filmit ishte pikërisht momenti kulmor i kalimit të gomoneve në Kanal, por ajo që është realisht mbresëlënëse është se kur episodi për Shqipërinë u transmetua në Channel 4 në MB, ai pati shikueshmërinë më të madhe nga të gjashtë episodet e serialit. Kjo do të thotë se populli anglez u shpreh se emrin këtij vendi ia kemi dëgjuar dhe tani jemi kureshtarë për këtë të dhe duam ta eksplorojmë.  Dhe siç thashë, kjo është fantastike, sepse ishit kundër Jordanisë dhe Stambollit që janë vende më të njohura në botën televizive. Sa i përket britanikëve mund të them që më vjen turp për disa prej gazetarëve, por ne jemi shumë kureshtarë për vendet e tjera. Kemi dëshirë të mësojmë për to dhe t’i përjetojmë, kështu që shpresoj të kemi sjellë pak ekuilibër, siç thatë dhe ju.

Sokol Balla: Besoj se po, sepse kanë dalë reportazhe të mira për Shqipërinë dhe natyrën dhe turizmin shqiptar. Besoj se, pas italianëve, shtypi britanik ka qenë më i përkushtuari për të krijuar një mbresë të mirë për turizmin në Shqipëri. Na flisni pak përse jeni përsëri këtu?

Bettany Hughes:  Kam ardhur për premierën paraprake përpara paraqitjes së një filmi të dytë për thesaret e Shqipërisë. Në filmin e parë normalisht nuk mund të përfshinim gjithçka në një orë, kështu që duhet të ktheheshim përsëri. Kemi një marrëdhënie fantastike me Ministrinë e Turizmit këtu që ka qenë jashtëzakonisht mbështetëse. Siç e dini, jemi tërësisht të pavarur, jemi të pavarur në linjën editoriale, dhe duke ditur që mund të kishte mundësi, realizuam një film të dytë. Shkuam në vendet ku nuk vajtëm me të parin, kështu që shkuam në Berat, në disa porte antike fantastike, dhe zbuluam përsëri malet.




Skip to toolbar