Mero Baze: Për demokratët dhe socialistët që mbështesin Berishën!

Më të fundit


Për të gjithë ata që nuk arrijnë dot të kuptojnë pse Berisha shmang rrugën ligjore të mbajtjes së një Kuvendi në PD, shpjegimi është shume i thjeshtë. Sali Berisha është në rrugë për të krijuar partinë  e tij të re, një parti që nuk mund ta krijojë dot nga e para, por duke përdorur mbështetësit  e vet brenda Partisë Demokratike.

Të gjithë ata që çuditen pse ai nuk i tregon letrat e printuara në kasafortën e Palokës, ka një shpjegim të thjeshtë: Nuk ka dëshirë të tregojë bërthamën themeluese të partisë së tij.


Të gjithë ata që çuditen pse nuk i dorëzon sipas statutit në zyrën e PD, ka një shpjegim të thjeshtë. Atij nuk i duhet më PD, por një parti që ta përdorë në betejën e tij kundër SHBA.

Për të gjithë ata që çuditen pse të fortë apo elementë kriminalë janë angazhuar në fushatën pro Berishës, ka një shpjegim të thjeshtë. Ata ndjehen njësoj të rrezikuar nga qëndrimi i SHBA kundër Berishës dhe janë aleatë natyralë të tij.

Edhe për ata që çuditen pse plot njerëz brenda Partisë Socialiste janë me Berishën, shpjegimi është po kaq i thjeshtë. Shumë prej tyre brenda PS, që bëjnë sikur Berisha “është në të drejtë të zotit kundër Bashës”, në fakt thjeshtë nuk thonë dot që “Berisha është në të drejtë të zotit kundër SHBA”, siç mendojnë vetë.

Sali Berisha nuk është duke bërë ndonjë parti konservatore, por një çetë bashibozukësh përtej së majtës e së djathtës, që ndjehen të pasigurtë në këtë vend nga drejtësia.

Kjo është ideologjia e partisë së re të Berishës, ky është grupi i targetuar prej tij për të qenë aleatë, me mashtrimin se për këtë plan djallëzor po përdor gjithfarë demokratësh të mërzitur nga Basha, apo trushpëlarë te tij.

Sali Berisha në fakt po kthehet në shpresën e vetme në vend, të çdo njeriu që ka probleme me korrupsionin, çdo njeriu që ka probleme me krimin, çdo njeriu që ka frikë se politika e SHBA për rajonin kundër korrupsionit dhe lidhjeve me krimin, mund të prekë atë.

Sali Berisha po përpiqet të gënjejë demokratët me shpikjen e tij të re se do të bëjë një Kuvend që nuk ka ndodhur kurrë në botë, d.m.th Kuvend që mblidhet nga anëtarësia. Në fakt është thjeshtë duke gënjyer mbështetësit e vet, që t’u marrë firmat për partinë e tij të re.

Pas kësaj Partia e do te jetë më e dobët. Opozita në tërësi do të jetë më e dobët, pasi për herë të parë në historinë e saj ajo do ndahet në opozitë pro- perëndimore dhe anti-perëndimore. Por Sali Berisha do të jetë pakica e përjetshme në këtë vend, siç ka qenë deri më sot.

Ai gënjeu publikisht në Sarandë kur tha se PD ka qenë  forcë e parë më 2005. Në fakt ka qenë forcë e dytë. Rezultatet janë onlinë në KQZ dhe mund të konsultohen. Forcë e dytë ka qenë dhe më 2009. Forcë e dytë ka qenë historikisht pas vitit 1992.

Ajo ka ardhur në pushtet, falë ndarjes së të majtës. Mund të kishte fat tjetër po të mos kishte Sali Berishën, por me Sali Berishën ka qenë gjithnjë e dyta. I vetmi shans i rritjes së saj ka qenë vetëm kur maskohej Sali Berisha.

Më 2005 ai u maskua si bashkues i demokratëve, si njeri që nuk do të sillej më si autoritar në PD dhe PD u rrit, por nuk do merrte dot pushtetin sikur Fatos Nano të mos ishte aq arrogant me aleatët e vet dhe sikur Lefter Xhuveli të mos merrte votat e Nanos e t’ia jepte Berishës.

Edhe më 2011 në Tiranë, Lulzim Basha u rrit, ashtu siç pati guximin ta pranojë, se fshehu Sali Berishën. Sa herë Sali Berisha del në rrugë, PD ikën nga pushteti.

Tani ai ka dal në rrugë që më 11 dhjetor të formojë partinë e tij. Nuk ka asgjë të keqe sikur këtë gjë t’ua sqaroj që  sot demokratëve. Në fakt po i gënjen.

Pas 11 dhjetorit, kur legjitimiteti i tij nuk do të verifikohet, ai do t’u thotë se jemi të detyruar të përdorim një emër tjetër sa të hyjmë në zgjedhje, se ndryshe na i merr votat Lulzim Basha. Dhe kështu do të vazhdojë rrugëtimin e tij të shkurtër hakmarrës ndaj PD.

Deri në fund të jetës së tij fizike, nuk do t’i mungojnë lekët që ka vjedhur, dhe as trushpëlarët që do ta ndjekin. Por pushteti do t’i mungojë përjetësisht. Atij, familjes së tij biologjike dhe familjes së re politike.




Skip to toolbar