Marrëveshja për emigrantët/ Tajani: Synojmë betejë të përbashkët kundër trafikut

AKTUALITET


Bashkë me Shqipërinë, e cila është një vend mik aleat në NATO, por edhe një vend që së shpejti do të jetë në Bashkimin Evropian, synojmë të bëjmë një betejë të përbashkët kundër trafikimit të qenieve njerëzore’.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në Pallagorio, në provincën e Crotone, ku mori pjesë në manifestimin për kremtimin e 100-vjetorit të vdekjes së intelektualit arbëresh Anselmo Lorecchio, raporton ANSA.


Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. “Është një projekt shumë i rëndësishëm, shtoi Tajani në përgjigje të një pyetjeje mbi marrëveshjen që parashikon krijimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri,  të cilat do të shërbejnë për veprime të përbashkëta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore. Ne duam të presim emigrantë të rregullt në Itali”, tha ai.

Ndër të tjera, Tajani u shpreh se kjo qasje lufton trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët i premtojnë emigrantëve “parajsën” në tokë, çka në të vërtetë nuk është kështu.

“Ka një dekret të fluksit që parashikon rreth gjysmë milioni emigrantësh të rregullt, por ne duhet të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore që shfrytëzojnë njerëzit duke thënë se në Evropë ata do të gjejnë parajsën në tokë kur nuk është kështu. Ne synojmë të luftojmë në këtë betejë të përbashkët sepse trafikantët e qenieve njerëzore, trafikantët e drogës, trafikantët e armëve dhe ata që trafikonin edhe cigare janë gjithmonë të njëjtët. Organizata kriminale që duhen luftuar dhe mposhtur me bashkëpunim ndërkombëtar. Bashkëpunimi Shqipëri-Itali shkon pikërisht në këtë drejtim”, theksoi ai, shkruan media italiane.




Skip to toolbar