Në shpërthimin e tij plot akuza dhe kërcënime, Presidenti Meta, ku gjatë gjithë kohës nuk ka treguar qetësinë që trumbeton si thirrje për politikanët shqiptarë, nuk ka kursyer nga sulmet e tij, edhe gazetarin Sokol Balla, duke i përmendur dhe fëmijët, kur u pyet nga gazetari Thimi Samarxhiu i Vizion Plus se për shkak të situatës që është krijuar në vend, mos vallë politikanët po bëhen qesharakë dhe nuk po sjellin siguri për rritjen e fëmijëve në Shqipëri, duke e kthyer vendin në 2 korrik 1990.
Replika e Metës me gazetarin
Gazetari: Zoti President, duke parë diskursin tuaj që nga 10 qershori deri më sot, që jeni partiak kjo është e dukshme, por miqësisht dhe si një qytetar i këtij vendi, a mos po bëheni qesharak, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve duan t’i rrisin fëmijët në këtë vend, përfshirë edhe mua dhe duan që ky vend të bëhet. Por, ju dhe flas për të gjithë politikën, por më shumë për ju, për shkak të interesave të tuaja politikë, apo frikërave tuaja po e çoni këtë vend lëmsh në 2 korrikun e ’90-s, që e përmendët dhe ju? Faleminderit!
Presidenti Meta: Të falënderoj për pyetjen. Nuk e di në çfarë media punoni ju,
Gazetari: Vizion Plus
Presidenti Meta: Kush është aty kryeredaktor, drejtor… Po kush është mo, nuk e di kush është atje… Koli është?! A Kol Balla, po. Tani e kam dëgjuar këtë çështje edhe herë tjetër, prapë nga miku im Sokol Balla, edhe e di se ai ka merak të madh se jam në konflikt interesi sepse nëna e fëmijëve të mi është në opozitë. E nuk e di se ku qëndron interesi këtu, se ai ka interes që të ikë Rama, nuk ka interes që të marrë pjesë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, por të gjithë e dini se Koli nuk ka interes, asnjë konflikt interesi me qeverinë, pavarësisht se nëna e fëmijëve të tij punon në qeveri apo jo?! Kështu që faleminderit për pyetjen. E gjykojnë shqiptarët se kush i krijon këto probleme, kush i krijon këto shqetësime dhe kush do e nxjerrë Shqipërinë nga rruga e normalitetit, nga rruga e shtetit ligjor, nga rruga e funksionimit të institucioneve dhe reforma në drejtësi e Edi Ramës ka fytyrën e skandalit të unazës së re. Genocid ndaj njerëzve, ndaj hallexhinjve dhe paprekshmëri edhe ndaj atyre që falsifikojnë dokumentet e shtetit amerikan. Asnjë recepsionist nuk është ndaluar akoma, me qindra hallexhinj dhe njerëz janë dhunuar atje. Dakord? Dhe nëse do të flasë ai për reformë apo Ramaformë, kur të dëshirojë, unë jam President dhe nuk dëshirojë të hyj në këto çështje, kur të dëshirojë ai, tek Sokol Balla, të marrë edhe ata miqtë e tij amerikanë dhe europianë të reformës, të marrë edhe zonjën Callavera, aty, s’kam nevojë vetëm aty dhe ta kuptojmë si ishte reforma dhe si u bë Ramaforma. Prandaj jemi këtu.