Meta nuk pyet për afate, dekreton Xhaferllarin: Dy veta ishin në listë

#NËRADAR


Kreu i shtetit ka firmosur një dekret të paprecedentë, duke emëruar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin, duke rrëzuar kështu jo vetëm Arta Vorpsin, e renditura e para dhe botuar në fletoren zyrtare, por edhe duke zgjedhur nga lista të renditurin e katërt, ndërsa ligji e përcakton qartë se ai duhet të zgjidhte një nga tre të parët.

Presidenti Ilir Meta e ka argumentuar këtë dekret me faktin se në garë kishin mbetur vetëm dy emra, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari, prandaj ka vendosur të zgjedhë Xhaferllarin, e cila njëkohësisht është bashkëjetuesja e ish deputetit të PD, Enkelejd Alibeaj. Emërimin e saj, Meta e ka bërë sapo është kthyer nga Franca, duke futur kështu në ngërç krijimin e Gjykatës Kushtetuese.


Veprimi i kreut të shtetit ishte paralajmëruar nga mazhoranca, ndërkohë që përfaqësues të opozitës parlamentare kanë deklaruar se ky është një veprim edhe më i rëndë i shkeljes së Kushtetutës nga Ilir Meta sesa ai për dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Megjithatë, Ilir Meta nuk ka marrë parasysh asnjë argumentim dhe pa dhënë shpjegime mbi arsyet e përzgjedhjes së Xhaferllarit, ai ka vendosur ta dekretojë anëtare të Gjykatës Kushtetuese. “Pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të dekretoj Marsida Xhaferllarin gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese”, ka qenë argumentimi i vetëm që ka publikuar Meta.

Por, kjo sjell një ngërç për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi për vakancën e shpallur nga Presidenti, tashmë janë dy emra për të njëjtin funksion, konkretisht Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Emri i Vorpsit u zgjodh automatikisht për shkak se kreu i shtetit nuk foli me dekret brenda afatit 30 ditor që përcaktohet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Në këto kushte, KED vendosi të publikojë listën e kandidatëve, që sipas ligjit përzgjidhet automatikisht kandidati që ka më shumë pikë dhe që ishte Arta Vorpsi. Por, Ilir Meta e ka injoruar ligjin dhe vendimin e KED, duke dekretuar Marsida Xhaferllarin, e cila ka kandiduar vetëm për këtë vakancë dhe në asnjë vakancë tjetër, të shpallur qoftë nga Kuvendi, qoftë nga Presidenti. Se si mund të zgjidhet ky ngërç mund ta dijë vetëm kreu i shtetit, i cili më herët është shprehur se ishte i vetmi që po kërkonte që të ngrihej sa më parë Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, nëse kjo pranohet nga mazhoranca dhe nga personat e përfshirë për garën në Kushtetuese (në këtë rast Arta Vorpsi, e cila mund të kërkojë në gjykatë të drejtën e saj të mohuar nga Presidenti Meta), kjo sjell edhe përjashtimin politik të Arta Vorpsit nga anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ishte kandidatja me më shumë pikë. Po ashtu, Vorpsi cilësohet si një ndër njerëzit e besuar të ish-ministrit të drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Madje, ajo ka punuar edhe për Komisionin e kryesuar nga Xhafaj për Reformën në Drejtësi, pasi ka qenë anëtare e nëngrupit për Reformën Kushtetuese dhe Gjykatën Kushtetuese. Madje, Xhafaj e uroi për emërimin automatik, por që duket se mesazhi i tij dhe i mazhorancës nuk e kanë frikësuar kreun e shtetit, pasi bllokimi i Gjykatës Kushtetuese i shkon më shumë për shtat se akujt tjetër për faktin, pasi ndaj tij tashmë ka nisur procesi i shkarkimit nga Kuvendi i Shqipërisë, që duket se do presë për të marrë një “Ok” nga Gjykata e re Kushtetuese.




Skip to toolbar