I quajti të korruptuar, tani Meta nis sulmin ndaj Ambasadorëve

POLITIKË


Pas sulmeve të njëpasnjëshme verbale ndaj diplomatëve të huaj. Meta ka kaluar në aksion kundër tyre. Fillimisht i quajti të korruptuar, pastaj i përjashtoi nga ceremonitë presidenciale dhe tani i shpall “non grata” nga “shteti i tij”. Kreu i shtetit e ka nisur aksionin me ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, të cilit i ka mbyllur derën e Presidencës, duke deklaruar se ai nuk është më i mirëpritur në shtëpinë e tij. Meta e mbështet këtë vendim në faktin se Borchardt ka kundërshtuar dekretin e tij për zgjedhjet vendore, dekret që nuk është njohur nga askush deri më sot, veç LSI-së, dhe për incidenti i ndodhur në kryeqytet ku ambasadori i tregoi gishtin e mesit disa protestuesve.

Vendimin e tij, sipas një letre të publikuar nga Vizion Plus, Meta ia ka dërguar për njohje zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagë, zyrës së Prezencës së OSBE në Tiranë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. “Z Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”, deklaron në letrën e tij kreu i shtetit.


Kjo letër e paprecedentë e kreut të shtetit për ambasadorin e OSBE në Tiranë vjen pas sulmeve të forta që ai pati për diplomatët, duke mos përmendur emra, të cilët i akuzoi për korrupsion gjatë kohës së sulmoi kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe foli për debatin për Gjykatën Kushtetuese. Madje, Meta e përforcoi sulmin ndaj diplomatëve edhe duke i përjashtuar nga ceremonia zyrtare për betimin e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë nuk dihet nëse Meta ka shpallur “non grata” veç Borchardt, apo të gjithë ata që nuk e njohën dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore, dhe filluar që nga institucionet shqiptare e deri te Departamenti i Shtetit Amerikan. Madje, në atë kohë, Meta i kërkonte ndihmë kreut aktual të OSBE, Lajçak, me një letër shokuese për Shqipërinë, ku deklaronte se Rama po bën puç shteti dhe që vendi ishte drejt anarkisë dhe kërkonte që të respektohej dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve. Por, edhe pas letrës, si OSBE, ashtu edhe SHBA nuk e cilësuan asnjëherë “dekret” datën e re të zgjedhjeve të caktuar nga Meta, por “njoftim”.

Ndërsa sa i përket fyerjes me me gisht, edhe Partia Demokratike, e cila ka mbështetur protestat e banorëve të Unazës së Re, e dënoi aktin e Borchardt, i cili një ditë më vonë kërkoi falje publike për gjestin e kryer, por deri më tani nuk ka dërguar ndonjë letër për shpalljen “non grata” të tij. Madje, kreu i PD e ka pritur edhe në selinë blu, por Meta, këtë herë, siç vetë ai e ka cilësuar veten, si “simbol i unitetit kombëtar”, ka dalë vetë i parë për të shpallur “non grata” një ambasador të OSBE, vetëm pak muaj para se Shqipëria të marrë kryesimin e kësaj Presidence.




Skip to toolbar