Ndërkohë që presidenti Meta po dëshmon përballë deputetëve të Kuvendit, në Komisionin Hetimor, në lidhje me çdekretimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor, deputetët e në Komisionin e Sigurisë ka rrëzuar dekretin e presidentit Meta për “Për rezervat materiale të shtetit”
Pak ditë javë më parë presidenti Meta ktheu në Kuvend për rishqyrtim ligjin. Kreu i shtetit ka kthyer mbrapsht ligjin “Për rezervat materiale të shtetit”, për të cilin opozita tha se me ndryshimin e ri kryeministri Edi Rama merr të drejtën e blerjes së arit në Shqipëri.
Ndërkaq, deputetja e Partisë Socialiste Antoneta Dhima ka deklaruar gjatë komisionit se e rëndësishme është që të kontrolli ndaj mallrave A, të kryhet në mënyrë të imtësishme. “Lëvrimi i mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial. Arsyetimi i presidentit për kthimin e dekretit nuk qëndron. Përdorimi i rezervave materiale të shtetit bëhet në raste të veçanta. Lëvrimi i mallrave rezerve me urdhër të kryeministrit nuk përben shkelje dhe burokraci”, është shprehur Dhima.
Deputeti i djathtë Myslym Murrizi është shprehur duke ngritur pyetjen se: Si mall i kategorisë A është futur gruri, po misri pse jo?! “Ky është diskriminim, pse është më i mirë gruri se misri?! Neve të opozitës qeveria dhe presidenca na duken njëlloj”, është shprehur Murrizi.
Në arsyet e kthimit të ligjit, Presidenti Meta deklaronte se ndryshimi i bërë nga qeveria është i pajustifikuar. Sipas tij, ky ndryshim përbën rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimmarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A. Ligji e ndryshonte të drejtën për lëvrimin e mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga “me vendim të Këshillit të Ministrave” siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”. Qeveria argumentonte se kjo bëhej për të thjeshtuar procedurat. “Kjo mënyrë e re e vendimmarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave”, thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave.