Minxhozi: Festa e PD si dilema e 28-29 nëntorit

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi

Partia Demokratike ka moshën e Krishtit. Por vetëm moshën. Të tjerat i ka shumë larg përkorjes dhe madhështisë së themeluesit të fesë së krishterë. 33 vjet më parë lëvizja e studentëve i jepte rastin një grushti burrash që rastësia, ambicja e fshehur dhe etja për pushtet, i bëri të bëjnë këpucët me baltë në pellgjet e Qytetit Studenti, para se të merrnin në dorë shtetin, për ta bërë edhe më rrëmujë dhe pis sesa rrugicat mes konvikteve studentore.


Një parti e kapur fort pas të shkuarës, duke harruar se ka edhe të tashme dhe të ardhme. Kjo është PD, ose më mirë këto janë PD-të e sotme. Dikur fitonim, dikur mbushnim sheshet, dikur fusnim vendin në NATO, hiqnim vizat e hapnim negociata. Ndërtonim edhe rrugë, paçka se me ca halle të vogla nga pas. Dikur na shihte bota si partnerë të besueshëm, si prurës të demokracisë në Shqipëri. Le të supozojmë se po (megjithëse sa më sipër ha shumë, po vërtet shumë debat), por përtej kësaj që thonë rëndom në PD për të shkuarën e tyre, ka të tjera që fshihen ose bëhet sikur harrohen.

Në 33 vjet kjo parti solli piramidat që më pas vranë mijëra shqiptarë. Kjo parti ka në ndërgjegjen e vet djegie gazetash e burgosje gazetarësh, vrasje protestuesish në dyert e qeverisë, e më pas zhdukje provash brenda godinës së qeverisë. Kjo parti ka në ndërgjegje zgjedhjet më të këqia të tranzicionit shqiptar, gjatë të cilave binte “edhe Skrapari”! Kjo parti i mbante zyrtarët e saj të akuzuar për zhdukje personash, në arrest shtëpie, pa i shkarkuar. Kjo parti krijoi dhe ushqeu lidershipin më karikatural të imagjinueshëm në personin e Sali Berishës, rrethuar me një tufë duartrokitësish që i rrinin dhe i rrinë ende pas. Kjo parti premtoi prona dhe i bëri lëmsh ato, premtoi një shoqëri normale dhe la pas pluhur e kaos në qytetet e fshatrat e vendit. Dhe për të gjitha këto kjo parti u dënua vetëm me kalim në opozitë, jo më tej.

Prandaj  sot kjo forcë politike dikur e madhe, sot është përfshirë në një debat të brendshëm gjysëm-komik të tipit “28 apo 29 nëntori datë e çlirimit”. Grinden për vulën e stemën pa u merakosur që po ju humbet vula të gjithëve, në të gjitha fraksionet, të mëdha apo të vogla.

Eshtë diçka e mirë që PD feston sot e përçarë 33 vjetorin e saj. E dini pse? Sepse pa qenë e tillë, e ndarë dhe e sherrosur, kjo parti mesa duket nuk ka për t’i gjetur kurrë fuqitë të shkëputet nga totemi i saj i përjetshëm Sali Berisha dhe derivati i tij anemik Lulzim Basha, si dhe të mendojë për një jetë të re pas tre dekadash dominimi nga një person i vetëm. Eshtë mirë që sot dy pjesët e PD e bëjnë kritikën e ashpër të njëra-tjetrës ashtu të ndara, duke na dhënë kështu një radiografi të plotë të asaj që ngjet aty, si një akt demokracie të brendshme në distancë. Sepse në PD demokracia mund të egzistojë vetëm në distancë. Eshtë provuar qysh në verën e nxehtë të vitit të largët 1992, kur prej asaj dere doli një rresht burrash që pak vite më vonë do të provonin edhe drurin e dhunën fizike “nga partia”. Duhet të festojë apo duhet edhe të kruajë kokën e të ulë zërin një parti e tillë pas tre dekadash?! Përgjigje sa e thjeshtë, aq edhe e vështirë…




Skip to toolbar