Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi zhvilloi një konferencë për media, ku prezantoi prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, zhvillimet në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, investimet në mbrojtje dhe masat për përballimin e situatës së zjarreve në vend.
Gjatë konferencës, Ministri Nufi e cilësoi vendimin për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë si një vlerësim të rëndësisë strategjike të Shqipërisë dhe rolit të saj gjithnjë e më të madh në Aleancë.
Ai theksoi se NATO po hyn në një fazë të re zhvillimi, të njohur si NATO 3.0, dhe se Shqipëria po përgatitet për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.
Ministri bëri të ditur se Shqipëria ka hyrë tashmë në një trajektore të besueshme të rritjes së investimeve në mbrojtje, duke arritur nivelin e 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të alokuar për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij, këto investime përfaqësojnë një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s.
Në këtë kuadër, Ministri Nufi nënvizoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet prioriteti kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë konferencës për media, ai veçoi marrëveshjen me kompaninë FINCANTIERI, e cila pritet të gjenerojë rreth 500 vende pune në Pashaliman, si dhe hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, të cilin e cilësoi një investim strategjik dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore.
Ministri ritheksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një kontribuuese aktive në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO-s dhe partnerëve strategjikë, duke forcuar më tej rolin e saj si një aleate e besueshme.
Duke u ndalur te situata e zjarreve, Ministri Nufi informoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka administruar në kohë reale raportimet e ardhura nga strukturat vendore dhe ka koordinuar aktivizimin e kapaciteteve shtesë tokësore dhe ajrore për përballimin e emergjencave.
Ai theksoi gjithashtu se monitorimi me dronët Bayraktar ka rezultuar një mjet efektiv për evidentimin e hershëm të vatrave të zjarrit dhe për koordinimin e operacioneve në terren.
Në përfundim, Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile dhe çdo person të angazhuar në shuarjen dhe menaxhimin e zjarreve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, në toka bujqësore, pranë pyjeve, kullotave apo zonave me bimësi, për të parandaluar rrezikun e përhapjes së flakëve.
