Ndryshk, myk dhe produkte të skaduara, AKU mbyll dy biznese, një gjobitet

AKTUALITET


Dy biznese mbyllen dhe një gjobitet nga AKU pasi nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore gjatë një kontrolli të zhvilluar në tre qytete kryesore në Fier, Korçë, dhe Shkodër në kuadër të sezonit turistik.

Përkatësisht në qytetin e Korçës është mbyllur një pastiçeri pasi në ambientin e prodhimit kishte prani të papastërtive si dhe prezencë ndryshku tek mjetet e punës të cilat ishin dhe tejet të amortizuara, me ndryshk si dhe tregtonte produkte të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit si karamele, çokollata, amita, biskota, kikirika, oriz, pije freskues. Për pasojë, ky biznes u mbyll dhe u gjobit me 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare.


Për të njëjtin motiv, tregtim të mallrave të skaduar është gjobitur edhe pastiçeria në Fier, AKU vendosi ta ndëshkonte me gjobë 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi dhe bllokimi i produkteve të konstatuara të pasigurta për konsum me qëllim asgjësimin e tyre.

Ndërkohë, më e rëndë paraqitej situata në një furrë buke e pastiçeri në Velipojë. AKU njofton se në këtë biznes tualeti kishte dalje të drejtpërdrejtë në ambientet e prodhimit, mungonte analiza e ujit, muret kishin prani myku dhe mjetet e punës kishin prezencë ndryshku. Masa ndëshkimore për të është bllokim i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare dhe gjobë 300,000 lekë.




Skip to toolbar