Kuvendi i hap rrugë SPAK të arrestojë deputetët

AKTUALITET


Deputetët ka ndryshuar nenin 118 të rregullores së Kuvendit, duke i hapur rrugë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të kërkojë nga Parlamenti autorizimin për arrestimin, kontrollin personal ose të banesës të deputetëve. Vendimi është miratuar në seancën e datës 19 korrik 2019, të fundit për këtë sesion parlamentar, me 106 vota pro. Vendimi i zbardhur nga Shqiptarja.com ndryshon 75 nene të Rregullores së Kuvendit, duke përfshirë edhe nenin 118.

Ky nen parashikonte që kërkesa drejtuar Kuvendit për arrestimin, kontrollin personal ose të banesës të deputetëve, paraqitej vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërkaq, me miratimin e reformës në drejtësi, kjo kompetencë i kalon SPAK-ut. Në këtë kuadër, varianti i ri i miratuar nga Kuvendi parashikon që kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori, duke hequr specifikimin ‘Prokurori i Përgjithshëm’.


Në një relacion shpjegues të Komisionit të Ligjeve, theksohet se deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, kërkesa paraqitet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kompetencë të të cilës kanë kaluar vepra penale të korrupsionit dhe zyrtarët e lartë. Me ngritjen e SPAK-ut, kërkesa për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme do të paraqitet nga Prokuroria e Posaçme. Ndërkaq, varianti i parë i propozuar nga Taulant Balla në janar të vitit 2018 parashikonte që prokuroria duhet ta shoqëronte me prova kërkesën për arrestimin e deputetit. Ky propozim ka rënë.

Varianti i propozuar nga Komisioni i Ligjeve dhe i miratuar nga Kuvendi parashikon lënien në fuqi të versionit të vjetër, sipas të cilit prokurori duhet t’i paraqesë kryetarit të Kuvendit kërkesën dhe dokumentet shoqëruese. Pra, është hequr fjala ‘prova’. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me shkurtimin e kohës, brenda të cilës Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi të deputetit. Në Rregulloren në fuqi ishte brenda katër javëve, në variantin e miratuar është caktuar një afat prej dy javëve./Shqiptarja.com

Neni 118 ndryshohet si më poshtë:

Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi,ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës të një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.

5. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit përcaktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

6. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit përcaktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.




Skip to toolbar