“Ne do ndërtojmë 500 shtëpi”, Erdogan thirrje vendeve islamike për të ndihmuar Shqipërinë

AKTUALITET


Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan konfirmoi të dielën mbështetjen ndaj Shqipërisë. Nga Konferenca e Investimeve për Sektorin Publik dhe Privat të Organizatës Islamike për Bashkëpunim, një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të tij ia kushtoi Shqipërisë. Duke folur para donatorëve të vendeve islamike, në konferencën e zhvilluar në Stamboll, Erdogan u shpreh se i qëndron “pranë vëllezërve shqiptarë”, ndërsa tha se Turqia do të ndërtojë 500 banesa për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Unë u uroj të plagosurve shërim të shpejt. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me mikun tim të dashur, Kryeministrin Edi Rama që nga dita që ra tërmeti. Ekipet tona të kërkimit dhe shpëtimi ishin në Shqipëri. Unë kam urdhëruar Ministrin tonë të Mjedisit dhe Urbanizimit që të ndërtojë 500 shtëpi në Shqipëri. Shpresoj se do t`i ndërojmë këto shtëpi sapo të përcaktohet vendi i përshtatshëm atje”, tha ndër të tjera Erdogan.


Por Presidenti i Turqisë nuk u mjaftua me kaq. Ai i bëri thirrje 50 vendeve anëtare të Organizatës Islamike për Bashkëpunim që të bashkohen dhe të ndihmojnë Shqipërinë.

“Ne e njohim mirë këtë situatë, pasi jemi goditur vetë nga tërmetet. Ne dëshirojmë që bamirësit të vendosin një tullë atje. Tërmeti është një nga katastrofat më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë. Është detyrë humantire për ne të qëndrojmë pranë popullit shqiptar në këtë situatë të vështirë. Unë do të doja të ju kërkoja të na mbështetni me të gjitha mjetet që mundeni për të siguruar që Shqipëria e lënduar ta kalojë sa më parë këtë situatë”, tha ndër të tjera Erdogan. Ai i kërkoi ndihmë edhe sektorit privat për Shqipërinë shkruajnë mediat turke.




Skip to toolbar