Ngjela: Nëse Meta shpërndan parlamentin, e pret burgu i përjetshëm

AKTUALITET


Presidenti Meta kërcënoi më herët parlamentin se mjafton vetëm një dekret i tij për ta shpërndarë, por avokati Spartak Ngjela thotë se presidenti nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi do të ishte shkelje ligjore dhe për këtë rrezikon burgimin e përjetshëm. Sipas Ngjelës është e përcaktuar mjaft qartë në Kushtetutë, rasti se kur presidenti e shpërndan parlamentin.

“Presidenti mund të shpërndajë Parlamentin vetëm kur nuk del mazhoranca. Kur nuk zgjidhet dot kryeministri ose Presidenti, thërriten palët dhe më pas shpërndahet Parlamenti”, theksoi Ngjela.

“Ai mund ta nxjerrë një gjë të tillë por kjo e rëndon shumë, e çon në burgim të përjetshëm. Pyetja që duhet bërë është pse është çmendur Presidenti? Një njeri normal, që do shtetin, nuk vepron kështu. E ka humbur ekuilibrin sepse është kërcënuar. Gjykata Kushtetuese do të gjykojë Presidentin dhe ai ka konflikt interesi. Kjo gjykatë që po formohet është njësoj si ajo që Meta bleu kur u akuzua për 700 mijë euro me zë. Ky kërkon të krijojë gjykatën e tij, por ka vetëm firmën. Me 94 vota ai Parlament bën çfarë të dojë. Parlamenti është sovran i popullit, jo Presidenti. Presidenti do të shkarkohet dhe do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkon që të vërë njerëzit e vet atje. Meta po sjell turbullirë të madhe në shtet dhe shteti ynë është i papërgatitur për këtë. Mazhoranca ka bërë gabim që nuk e ka shkarkuar ende. Nëse do ta shkarkonte, Presidenti nuk do të kishte më forcë juridike. Nuk do të nxirrte dot asnjë akt. Meta kërkon të shpëtojë veten me akte antikushtetuese”, shtoi më tej Ngjela për A2 news.

Por, avokati mendon se Presidenti nuk është shkarkuar pasi të gjithë aktorët e politikës duan turbullirë, pasi kanë frikë antikorrupsionin: “Pse u vonua shkarkimi? Sepse të gjithë duan turbullirë, pasi kanë frikë antikorrupsionin. Autoriteti amerikan e ka sjellë të gjithë këtë”.

Në lidhje me betimin te noteri të Arta Vorpsit, Ngjela tha se bëhet fjalë për një praktikë amerikane: “Është nocion amerikan, sa herë që bllokohet shteti. Edhe Presidenti noter është. Presidenti mund të vendosë të rrëzojë shtetin, atëherë çfarë duhet bërë? Ta lëmë ta rrëzojë? Ka pasur precedentë të mëparshëm. Amerikanët vetë u kanë thënë që të shkojnë në noter dhe merr fund loja”.



Skip to toolbar