Nis punën komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit

Më të fundit


Ka nisur nga puna komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit. Mbledhja e parë, një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin për ngritjen e tij bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Kryetari i Komisioni Alket Hyseni tha në fillim të seancës se kjo është një mbledhje konstituive teksa më pas u ndal tek qëllimi i ngritjes së këtij komisioni dhe detyrat.


“Objektivi përcaktohet nga vendimi i parlamentit për ngritjen e këtij komisioni, i iniciuar me kërkesën e deputetëve”, tha Hyseni. Deputetja e PS Klotilda Bushka u zgjodh sekretare e komisionit hetimor në unanimitet.

Ngritja e komisionit hetimor u votua me 97 vota pro dhe 6 kundër. 49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Sipas tyre, “në abuzim dhe tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrantë të Kushtetutës, Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit”.

Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.




Skip to toolbar