“Nuk rrezikojmë, s’kemi linjë ajrore me Kinën”, por qeveria mbledh task-forcën

AKTUALITET


Shqipëria paraqet rrezik të ulët për infektimin me koronavirusin i cili deri tani ka shënuar 81 viktima në Kinë dhe mijëra të tjerë të infektuar. Shkak për këtë është edhe fakti se Shqipëria nuk ka linjë direkte ajrore me Kinën. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu mblodhi të hënën task-forcën e ekspertëve për të përcaktuar masat ndaj koronavirusit të përhapur në Kinë, por edhe në shtete të tjera. Manastirliu tha se ende nga OBSH nuk ka një gjendje emergjente, ndërsa theksoi se Shqipëria ka marrë masa paraprake që virusi të mos futet në territorin shqiptar duke vendosur një qendër kontrolli mjekësor në Rinas.

“Situata po menaxhohet bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe çdo veprim është në koordinim me organizatën botërore të shëndetësisë, pra janë masa të përbashkëta. Edhe pse në lidhje me interferencën me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve ose tregtisë, bazuar ne informacionin aktual të pranishëm, ne kemi marrë masa për të rritur survejancën në aeroport me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Janë riaktivizuar protokollet përkatëse dhe janë marrë masa për rritjen e survejancës.


Duhet thënë se duke mos pasur lidhje direkte ajrore me Kinën jemi në risk më të ulët se vendet evropiane, megjithatë, si në çdo vend, bazuar në rekomandimet e OBSh kemi marrë masat përkatëse në aeroport.

Situata ka një menaxhim ndërkombëtar ndaj Autoritetet e shëndetit publik janë në rrjet me institucionet simotra dhe është rritur bashkëpunimi me operatorët e linjave ajrore për menaxhimin e rasteve ne bordin e avionit dhe raportimin kur vihet re një udhëtar me shenja të sëmundjes respiratore sipas udhëzimit të IATA për menaxhimin e rasteve me sëmundje infektive në avion”, tha ministrja.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria ka gati bokset e izolimit të qytetarëve të dyshuar që janë mbartës të virusit në QSUT.

“Po ashtu kemi gati bokset e izolimit për çdo rast të dyshuar ne strukturat spitalore universitare QSUT dhe Shefqet Ndroqi. Që me identifikimin e virusit në Kinë ka nisur puna informuese dhe trajnuese me strukturat e pikave kufitare, të shërbimeve spitalore etj.

Kemi një survejancë shumë të mire të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. Kemi një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale. Kemi stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Kemi planet e reagimit në varësi të shkallës së rrezikshmërisë në spitale dhe ekipe mjekësore të përgatitura.

Spitalet, posaçërisht shërbimi infektiv në QSUT po forcojnë kapacitetet dhe logjistikën e nevojshme. Vlerësimi i riskut për Shqipërinë, bazuar në informacionin e deritanishëm, rrëziku për depertimin e virusit në Shqipëri mbetet i ulët kur vendet e BE e kanë të moderuar”, tha Manastirliu në mbledhjen e task-forcës ku merrnin pjesë drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik.

Virusi kinez ka shkaktuar të paktën 81 viktima në Kinë kurse numri i të infektuarve është rritur në 2744, nga të cilët mbi 1400 vetëm në zonën Wuhan, por shkencëtarët britanikë dyshojnë se Kina nuk po jep shifrat e sakta dhe dyshojnë se numri i viktimave është më i lartë.




Skip to toolbar