Nxorën informacionin sekret, pezullohen 4 oficerë të Krimeve

AKTUALITET


Shkon në 4 numri i efektivëve të pezulluar që akuzohen se kanë nxjerrë informacione hetimore në lidhje me arsenalin e armëve që u gjetën në aksin Elbasan-Papër. Pasditen e ditës së enjte janë pezulluar nga detyra edhe Albjon Xhitozi, shef i Krimeve në Cërrik dhe Bilal Semanaj, shef i komisariatit të Cërrikut.

Të dy të pezulluarit dyshohet të kenë nxjerrë për mediat fotot e armëve të sekuestruara, në një operacion të konsideruar sekret për shkak se nxjerrja e informacioneve mund të cenonte hetimet. Të pezulluarve u janë sekuestruar telefonat, ndërsa në hetim administrativ janë edhe dy specialistë të kriminalistikës, por pa masë pezullimi.


Më herët, janë pezulluar nga detyra edhe dy oficerë të Krimeve të Rënda. Një specialist krimesh dhe një inspektor i Krimeve të Rënda janë pezulluar nga detyra, për shkak të daljes së informacioneve hetimore në lidhje me arsenalin e armëve, që u gjetën në aksin Elbasan-Papër.

Nga burimet e policisë u mësua se janë pezulluar zyrtarët Edi Gjyli, me detyrë specialist krimesh, dhe Eduart Hasani, ish-shef i sektorit për krimet në Elbasan, aktualisht inspektor te Krimet e Rënda, të cilët dyshohet se nxorën informacionin sekret për aksionin policor të realizuar pas atentatit me një viktimë dhe një të plagosur ndaj dy vëllezërve Baho, më 1 korrik të këtij viti. Dy oficerëve u janë sekuestruar telefonat, ndërsa në hetim administrativ janë edhe dy specialistë të kriminalistikës, por pa masë pezullimi.

Menjëherë pas ngjarjes, policia dhe RENEA nisën kontrollin e banesave dhe territorit përgjatë aksit Elbasan-Papër, ku gjatë kontrollit në ambientet e karburantit “Elido Petrol” u zbulua një sasi e madhe armatimi, që dyshohet se i përkiste një grupi të mirëorganizuar kriminal në Elbasan.

Të paktën 17 armë  janë sekuestruar në këtë bazë nga policia e Elbasanit dhe janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktilografik në institutin e policisë Shkencore. Pritet që nga hetimi të zbardhen mjaft ngjarje kriminale të ndodhura në Elbasan vitet e fundit, ndërsa shtetasi Ilir Beko, që kishte në përdorim ambientet ku u gjet armatimi, është shpallur në kërkim.




Skip to toolbar