Nxori me qira Syrin e Kaltër, Rama shkrin “Albturist”

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama ka shkrirë shoqërinë “Albturist”, e cila nxori me qira Syrin e Kaltër, një shoqëri, e cila varet nga Ministria e Financave. Lajmi për shkrirjen e kësaj shoqëria wshtw publikuar nga gazeta Tema, sipas të cilës shefi i qeverisë ka marrë masa për të anuluar të gjitha vendimet që janë dhënë për këtë pasuri natyrore, e cila rezulton si një nga më atraktivet në Jug të Shqipërisë dhe është e vizituar nga shumë turistë.

“Kompania “Albturist”, prej kohësh vepronte si një ndërmarrje e pa koordinuar me Ministrinë e Turizmit duke marrë një sërë iniciativash të pa konsultuara në përputhje me programet përkatëse siç ishte Syri i Kaltër apo Driloni”, shkruan Tema, ndërkohë që të enjten mësohet se është marrë vendimi për shkrirjen e kësaj ndërmarrjeje.


Vendimi vjen pas publikimit të lajmit për dhënien me qira të Syrit të Kaltër për një çmim qesharak prej 600 euro në muaj. Nga verifikimi pranë institucioneve shqiptare rezulton se shoqëria Albturist, e krijuar që në vitin 2001, administron veprimtarinë turistike dhe shërbimeve rrjedhëse, si trashëgimtare e të gjithë të drejtave aksionare të ish ndërmarrjes Albturist dhe ushtron të drejtën e veprimtarisë tregtare të kontratave të emfiteozës ose të qirasë për objektet turistike shtetërore dhe të privatizuara, ish pronë e shoqërisë.

Në bazë të dhënave pranë QKR, administratore e kësaj shoqërie është Pavlina Konini, e cila është emëruar në këtë funksion që në vitin 2008, me një shkëputje në vitin 2017 dhe po në atë vit është riemëruar në këtë funksion. Emërimi dhe shkarkimi i saj bëhet nga Këshilli Mbikëqyrës, anëtar të së cilit janë Laureta Jani, Zina Dyrmishi dhe Olta Mena. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen dhe shkarkohen nga ministri i linjës, që më herët ka qenë në varësi të MZHET, ndërsa tani varet nga Ministria e Financave.

Pra, sipas kësaj procedure, Rama duket se ka urdhëruar shkarkimin e këshillit mbikëqyrës të Albturist, një tjetër kambanë për Ministrinë e Financave, të cilës po sot iu largua nga detyra drejtori i doganave, Gjokutaj, i cili mori detyrën vetëm 7 muaj më herët, pas një tjetër largimi nga doganat.




Skip to toolbar