Syri i kaltër, qeveria i shkel syrin privatëve

AKTUALITET


Rreth një muaj pas deklaratave të ministrit Klosi për degradimin e zonës turistike “Syri i Kaltër”, qeveria ka hapur procedurën për dhënien me qira të kësaj prone shtetërore. Ministria e Financave ka bërë njoftim për dhënien me qira, duke deklaruar se kjo bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zonës.

Sipas njoftimit të Financave, objekti mund të jepet me qira vetëm duke ruajtur destinacionin e tij fillestar, që është ushtrimi i veprimtarisë turistike në fushën e akomodimit turistik. Sipas informacionit, pasuria që administrohet nga shoqëria “Albturist T.O” sha, ka një sipërfaqe totale prej 470 metra katrorë, nga të cilat 220 metra katrorë janë objekt dhe 250 metra katrorë sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër. Madje, qeveria ka lënë një çmim të lirë për qiranë mujore, konkretisht 72 500 në muaj, ose e konvertuar në valutë, 600 euro. Por, në njoftim nuk është përcaktuar nëse kjo pasuri do të jepet me qira me të drejtë privatizimi.


Ministri i Turizmit, prej një muaji e ka cilësuar Syrin e Kaltër, gangrenë e turizmit shqiptar, sipas së cilit përveç bukurive natyrore, nuk ofron asnjë tjetër. Ndërkohë, vetëm një ditë më herët, ai deklaroi se mënyra si menaxhohet një nga stacionet më të bukura turistike të vendit tonë, është shumë e vjetër dhe për këtë ka njoftuar se është përgatitur një plan që parashikon një investim të plot me buxhetin e vitit 2020.

“Për sa i përket Syrit të Kaltër, është një nga ato gangrenat e turizmit shqiptar edhe pse është mbase një nga stacionet më të bukura turistike të vendit, ka një mënyrë shumë të vjetër të menaxhimit dhe të trajtimit. Ministria ka përgatitur një projekt të ri që besoj me vitin buxhetor 2020 ne do të kemi mundësi që të bëjmë investim të plotë dhe një trajtim krejt tjetër të Syrit të Kaltër, që mos të jetë një vend ku vetëm bukuria e natyrës ekziston, por edhe një trajtim tjetër e cila dëshmon se jemi në një zonë më të frekuentuar por me trajtim krejt tjetër”, është shpreh Klosi.

Pak muaj më herët, qeveria shqiptare njoftoi se do të japë me qira edhe Drilonin, me qëllim për të nxitur punësimin turizmin dhe aktivitetet që gjenerojnë të ardhura. Bazuar në buletinin e prokurimeve publike, në muajin gusht, “Albturist” ka hapur ankandin për dhënien me qira të “Drilon2”. Sipërfaqja e tij e përgjithshme është 2500 m², nga të cilat 605 m² nën objekt dhe pjesa tjetër sipërfaqe funksionale./Realstory.al/




Skip to toolbar