Paralajmërimi i Thaçit: Ndryshim sistemi zgjedhor, ose largohem

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do të rikandidojë vetëm nëse ndryshon sistemi zgjedhor dhe zgjedhja e presidentit bëhet me votë direkt nga populli, ndryshe ai do të largohet.

“Në parti nuk do të kthehem. As në Partinë Demokratike e as në ndonjë parti tjetër. Nuk do të kthehem në parlament si deputet. Nuk pretendoj për të rikandiduar për kryeministër apo për të udhëhequr ndonjë mandat të Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi gjatë një interviste për RTV Dukagjini.


Ai është lavdëruar për mënyrat se si është zgjedhur kryeministër, duke kritikuar kryeministrat tjerë të pasluftës. “Mendoj se kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës gjatë periudhës së luftës edhe pas, por edhe me dy mandate legjitime prej qytetarëve të Kosovës jam i vetmi kryeministër i Kosovës që kam udhëhequr me mandat të plotë të fituar nga qytetarët. Gjithë të tjerët kanë qenë të emëruar apo në kombinatorika të ndryshme politike”.

Thaçi ka thënë se i është mirënjohës spektrit politik që e ka votuar për President të Kosovës dhe se ai do të vazhdojë të jetë faktor unifikues pa dallime.

Ai ka dhënë edhe parashikimin për ta ardhmen e tij politike për mundësinë nëse do të kandidojë përsëri për president. “Nëse ndodhin ndryshime kushtetuese dhe mandati i ardhshëm i presidentit vendoset nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve do të rikandidoj dhe jam i bindur se do të fitoj, ndërsa nëse mbetet sistemi i njëjtë, nuk do t’i lejojë vetes për shkak të parimeve dhe etikës të jem pjesë e ndonjë kalkulimi apo rizgjedhjeje të kulvareve politike të Prishtinës”. “Pra nëse mbahen zgjedhjet presidenciale me votë të drejtpërdrejtë nga populli do të kandidoj dhe të zgjidhem edhe një mandat, nëse jo, do t’i them lamtumirë politikës përgjithmonë”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.




Skip to toolbar