Në katër ndeshje, dy humbje dy fitore. Partizani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme kampionatin këtë sezon, pasi ndryshe nga sa mendohej, kampionët në fuqi të Superligës, nuk po arrijnë të gjejnë ecurinë pozitive.
Në takimin e javës së katërt të kampionatit, Laçi priti në shtëpi Partizanin, duke marrë tre pikë përballë të kuqve, me të vetmin gol të shënuar nga Regi Lushkja. Ishte minuta e 60-të e takimit, kur Lushkja realizoi një gol të bukur nga distanca duke lënë të shtangur Alban Hoxhën.
Gjatë pjesës së parë loja ka qenë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që kanë qarkulluar topin në mesin e fushës. Megjithatë, Partizani ka tentuar më shumë portën kundërshtare, por pa arritur të rrezikojë seriozisht. Në të dytën, Laçi kërkon të thyejë balancat, duke shtuar presionin. Shpërblimi vjen me golin e Lushkjes në të 60`, ku kurbinasit kalojnë në avantazh me rezultatin 1-0.
Pas golit, Partizani ndryshon disi lojën. Çinari zbret disa herë në portën kundërshtare, por pa bërë asgjë, ndërkohë që trajneri Lerda tenton gjithçka me ndryshimet që kryen. Pas fitores së të dielës, Laçi shkon në kuotën e 4 pikëve, dhe mban vendin e tetë në renditje, ndërsa Partizani mbetet në vend të pestë me 6-të pikë.
Fitorja e Laçit ishte edhe një përgjigje që Sulejman Starova i dha trajnerit të Partizanit, Franko Lerda. Italiani u shpreh më herët se Starova është strateg, por në Laç do të fitonte Partizani. Kjo gjë nuk ndodhi, e kundërta po. Starova heshti me fjalë, iu përgjigj në fushë.