Derbi me Tiranën, Lerda: Nuk i druhem humbjes

Të premten luhet ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës. “Demat” vijnë në këtë përballje pas një historie suksesi që vijon prej 5 vjetësh. Trajneri Lerda synon që edhe në takimin e së premtes të marrë tre pikët. Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, Lerda u shpreh se në derbi nuk është asnjë prej skuadrave favorite. Por sipas  tij lojtarët duhet të përgatiten për të përballuar këtë sfidë.

“Mendoj që në ndeshjet derbi, nuk ka skuadra favorite. Mendoj se lojtarët duhet të përgatiten sa më mirë për ta përballuar këtë sfidë”, tha Lerda. Ndërkohë, sipas tij, mungesat nuk do të jenë problem, pasi skuadra ka organikë të pasur. “Skuadra e Partizanit dhe organika është e pasur. Mendoj që nuk do të ketë probleme, pasi lojtarët që do aktivizohen do jenë mjaft të përgatitur për këtë takim”, tha Lerda.

Lerda shprehet se e respekton Tiranën, por mendon vetëm për skuadrën e tij. Ndërkohë, në krahasim me takimin e parë derbi, Lerda mendon se në sfidën e të premtes duhet më shumë përgatitje psikologjike për lojtarët.

“Unë mendoj për skuadrën time dhe për lojtarët e mi. Nuk dua të mendoj se çfarë ndodh për kundërshtarët, edhe pse i respektoj. Të gjitha ndeshjet mendoj që janë të vështira, për t’u përgatitur. Por ky takim me Tiranën, duhet përgatitur më shumë nga ana psikologjike, pasi pritet shumë nga mediat, tifozët dhe të gjithë”.

Ndonëse Tirana nuk ka një ecuri pozitive me derbet në 5 vitet e fundit, trajneri i Partizanit shprehet se nuk i druhet humbjes. “Sigurisht që nuk i druhem aspak. Mendoj që kjo është një ndeshje që duhet ta luajmë nga ana psikologjjike. Nuk lexoj shumë gazeta dhe për mua është e rëndësishme të japim maksimumin. Në ndeshje futbolli ka çdo rezultat brenda”, tha Lerda, ndërsa beson se rivalët e skuadrës së tij janë ende në garë për titull. “Nuk i ka humbur shanset për titull. Besoj se do të rikthehet, shpresoj jo nga kjo javë. Ka potencial dhe lojtarë që mund ta bëjë”, tha ndër të tjera Lerda.

Kalari fillon punën si ndihmës i Lerdës

Partizani është duke zhvilluar përgatitjet në prag të ndeshjes me Luftëtarin. Kampionët janë zhvendosur  në qytetin e Elbasanit, aty ku po punojnë në një kompleks sportiv privat, në prag të sfidës së radhës në kampionat.

Nga puna nisi edhe ndihmësi i ri i Franko Lerdës, Renaldo Kalari, i cili largohet nga drejtimi i Partizanit B. Nga fotot e publikuara nga klubi, nga seanca stërvitore e të enjtes, vihet në fokus Kalari, që stërvit ish-shokët e tij të skuadrës te Partizani, por që tashmë do të jenë nën urdhrat e tij.

Vendin e Kalarit te ekipi i dytë i Partizanit e zë Dritan Mehmeti, i cili nuk do të largohet nga Partizani pas sherrit me trajnerin e ekipit të parë Franko Lerda. Ndërkohë, klubi i kuq e kaloi këtë situatë pa bujë mediatike.

Për sfidën ndaj Luftëtarit Franko Lerda ka në dispozicion ekipin e plotë, teksa së fundi i është bashkuar skuadrës dhe mesfushori Romero. Të kuqtë janë duke kryesuar kampionatin pas dhjetë javëshë në Superligë, pavarësisht se ndodhen vetëm një pikë më shumë se vendi i dytë dhe i tretë, Bylis e Tirana.

Partizani bie në Laç. Starova i jep “leksion” Lerdës

Në katër ndeshje, dy humbje dy fitore. Partizani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme kampionatin këtë sezon, pasi ndryshe nga sa mendohej, kampionët në fuqi të Superligës, nuk po arrijnë të gjejnë ecurinë pozitive.

Në takimin e javës së katërt të kampionatit, Laçi priti në shtëpi Partizanin, duke marrë tre pikë përballë të kuqve, me të vetmin gol të shënuar nga Regi Lushkja. Ishte minuta e 60-të e takimit, kur Lushkja realizoi një gol të bukur nga distanca duke lënë të shtangur Alban Hoxhën.

Gjatë pjesës së parë loja ka qenë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që kanë qarkulluar topin në mesin e fushës. Megjithatë, Partizani ka tentuar më shumë portën kundërshtare, por pa arritur të rrezikojë seriozisht. Në të dytën, Laçi kërkon të thyejë balancat, duke shtuar presionin. Shpërblimi vjen me golin e Lushkjes në të 60`, ku kurbinasit kalojnë në avantazh me rezultatin 1-0.

Pas golit, Partizani ndryshon disi lojën. Çinari zbret disa herë në portën kundërshtare, por  pa bërë asgjë, ndërkohë që trajneri Lerda tenton gjithçka me ndryshimet që kryen. Pas fitores së të dielës, Laçi shkon në kuotën e 4 pikëve, dhe mban vendin e tetë në renditje, ndërsa Partizani mbetet në vend të pestë me 6-të pikë.

Fitorja e Laçit ishte edhe një përgjigje që Sulejman Starova i dha trajnerit të Partizanit, Franko Lerda. Italiani u shpreh më herët se Starova është strateg, por në Laç do të fitonte Partizani. Kjo gjë nuk ndodhi, e kundërta po. Starova heshti me fjalë, iu përgjigj në fushë.

Lerda s`kënaqet: Kukësi i kampionatit më i rëndësishëm se i Superkupës

Partizani do të përballet me Kukësin të premten në “Elbasan Arena”, në takimin hapës të Superligës për sezonin 2019/20. Skuadra e “kuqe” vjen pas suksesit një javë më parë në Superkupë, ku mundi rivalin verilindor, me të cilin përballet përsëri në kampionat. Trajneri Franko Lerda ka folur një ditë para ndeshjes në konfernecë për shtyp, ku së pari ka komentuar deklaratat e Shpëtim Duros, që u shpreh se “Kukësi luajti më mirë”. “Është opinioni i tij, e respektoj. Ndeshjen e pamë të gjithë, sipas meje ishte e ekuilibruar, foli një pjesë për secilin, ne bëmë më mirë në kohët shtesë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme pasi kjo e Superkupës është e kaluar”.

Megjithatë, tekniku italian shprehet se ndeshja më e rëndësishme është të premten, ajo për kampionat, ndërsa tregon se për të ndeshjet do të merren hap pas hapi.  “Ajo që vjen është ndeshje më e rëndësishme, pasi duhet ta luajmë. Jo se nuk ishte Superkupa, se e donin shumë, por e kemi kaluar, më e rëndësishme është ajo që vjen. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje, ilaçi është puna e përditshme, duke përgatitur ndeshjet në mënyrën më të mirë psikologjike e taktike dhe të mendojmë se kur je kampion kundërshtarët japin diçka më shumë, ndaj duhet të jemi gati”.

Gjendja fizike është i vetmi shqetësim për Lerdën, ndërsa për sfidën e të premtes, preferon që skuadra të japë maksimumin, pa vendosur objektiva për rezultatin.  “Kukësi ka një skuadër shumë të mirë, ka invidualitete, një trajner të aftë, ekspert dhe të përgatitur. Do të jetë e vështirë. E kemi parë disa ditë më parë, por unë kam shumë besim te djemtë, respektojmë Kukësin por kam besim se ia dalim. Unë para ndeshjeve mendoj të arrij maksimumin, pastaj nëse vjen një barazim, do të shohim se si vjen ai. Superkupën nuk e lëshojmë se e fituam, nesër do të jetë një ndeshje tjetër, tërësisht ndryshe se nisesh 0-0. Do ta shohim se çfarë ndeshje është, por Kupën e mbajmë, nuk heqim dorë”.

Skip to toolbar