Partizani gati për Qarabag, zyrtarizohen lojtarët që do të luajnë në Champions League

CHAMPIONS LEAGUE


Partizani ka zyrtarizuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e parë në Champions League kundër Qarabag, që do të luhet të mërkurën më 10 korrik në “Selman Stërmasi”. Për këtë takim, ekipi i “Demave” ka grumbulluar edhe lojtarët e rinj, të cilët janë afruar gjatë merkatos së verës.

Hoxha, Xhika dhe Aldo Teqja, i ardhur nga Skënderbeu, do të jenë tre portierët në dispozicion të Franco Lerdës për ndeshjen e të mërkurës. Ndërkohë, Belica, Ibrahimi, Hakaj dhe Bitri janë katër mbrojtësit e grumbulluar për këtë takim.

Emrat në mesfushë janë të shumtë, çka lë të kuptohet se skema që do të përdorë Franco Lerda do të ketë si synim lojën defensive. Broja, Romero, Asani, Bardhi, Telushi, Trashi, Mala, Cordeiro, Kodra dhe Kote, janë lojtarët e grumbulluar nga trajneri italian për sfidën kundër Qarabag.

Në sulm, Çinari, Somon, Lucas, Ekuban, Mensah dhe Broën, do të jenë në dispozicion të trajnerit të të “Kuqve” për sfidën ndaj Qarabag. Ndeshja do të jetë e një niveli të lartë, pasi Qarabag është një ekip që ka provuar të luajë deri në grupet e Champions apo Europa League.

Megjithatë, Partizani shpreson që të dalë sa më mirë nga ky takim, pse jo edhe të synojë kualifikimin për në turin tjetër. Ndeshja e parë do të luhet në Tiranë dhe pas një jave në Baku.



Skip to toolbar