Pas akuzave për tenderin, Lleshaj çon PD në gjykatë

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi se do të padisë në gjykatë Partinë Demokratike për akuzat e bëra për korrupsion në tenderin për uniformat e reja të Policisë së Shtetit. Përveçse i përgënjeshtroi akuzat e PD-së, Lleshaj nuk është mjaftuar me kaq, por shkruan se do ta çojë në Gjykatë PD-në për këtë çështje, ndërsa shumën financiare që do të rezultojë si zhdëmtim pas procesit gjyqësor, do ta çojë në favor të familjeve të policëve të rënë në detyrë.

Sipas Lleshajt “drejtuesit e PD-së vuajnë një krizë të thellë. Ata besojnë sinqerisht se kushdo që ka një pushtet vjedh, pasi ata vetë kanë vjedhur sa herë kanë patur një mundësi për ta bërë këtë.”

“Duke hedhur poshtë me neveri gënjeshtrat e turpshme që mbajnë logon e PD-së, më mbetet t’ju them autorëve të tyre: Sandër Lleshaj nuk i përket farës tuaj. Sandër Lleshaj ka dhe do të ketë vetëm një pasuri në jetën e tij: Nderin e tij, të familjes, të të parëve të tij dhe të Atdheut të tij. Sado të ëndërroni, Sandër Lleshajn nuk do ta keni kurrë të ngjashëm me ju, as në vjedhje, as në vrasje dhe as në turpe të tjera.” shkroi ministri në Facebook.

Lleshaj i shikon akuzat si një përpjekje djallëzore për të ndërhyrë dhe ndikuar në një procedure publike dhe të hapur ndërkombëtare.

“PD do të duhet të mbrojë përpara një gjykate poshtërsitë me të cilat ka ndotur opinionin publik. Çdo shumë financiare, që do të rezultojë si zhdëmtim pas procesit gjyqësor, do të shkojë në favor të familjeve të policëve të rënë në detyrë”, shkroi ministri.

Ditën enjte ish deputetja e PD-së, Lealba Pelinku ndërsa denoncoi si aferë korruptive këtë procedurë të Ministrisë së Brendshme tha se PD “do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike”.



Skip to toolbar