Akuzat e PD për tenderin e uniformave, reagon ministria: Nuk njohin ligjin

AKTUALITET


Partia Demokratike akuzoi të enjten Ministrinë e Brendshme se “tenderi prej 30 milionë eurosh për uniformat e policisë është një aferë korruptive pasi shkurtohet afati në kundërshtim me ligjin për të favorizuar klientët e qeverisë”.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar ministria e Brendshme që i cilëson të pavërteta këto akuza të PD-së ndërsa thekson se përfaqësesit e saj nuk njohin ligjin.


Ministria e Brendshme ka deklaruar se e gjitha kjo është bërë për të përgjysmuar koston ekonomike për operatorët ekonomikë të interesuar të cilët nuk janë të detyruar të sjellin paraprakisht kampione apo monstra të mallrave.

“Duke qenë se, për këtë procedurë prokurimi janë ngritur publikisht disa pretendime të pavërteta, të cilat burojnë kryesisht nga mungesa e njohurive të legjislacionit të prokurimit publik, sqarojmë të gjithë të interesuarit, se:

Së pari, “Procedurë e kufizuar” është një prej llojeve të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik, përmes së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë (Faza e parë – Parakualifikimi), por vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur në fazën e parë, mund të dorëzojnë oferta teknike dhe ekonomike (Faza e dytë – Ftesa për Ofertë).

Ndarja në dy faza paraqet kosto më të ulëta ekonomike për operatorët ekonomik të interesuar, të cilët nuk janë të detyruar të përgatisin ofertat ekonomike dhe teknike që në fazën e parë (p.sh. kampione/mostra të mallrave), si dhe kosto më të ulëta administrative për organin qendror blerës.

Së dyti, afati kohor në dispozicion të operatorëve ekonomik për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje në Fazën e parë – Parakualifikimi, i përcaktuar në dokumentet e tenderit dhe njoftimin e kontratës është 25 ditë, nga 20 ditë që është afati minimal ligjor”, sqaron ministrja e Brendshme duke përgënjeshtruar akuzat e PD-së.

Ditën enjte ish deputetja e PD-së, Lealba Pelinku ndërsa denoncoi si aferë korruptive këtë procedurë të Ministrisë së Brendshme tha se PD “do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike”.




Skip to toolbar