Negociatat, Zaev ngrin Marrëveshjen e Prespës

AKTUALITET


Jo vetëm Rama por edhe Zaev është treguar i ashpër me BE-në. Pas refuzimit të negociatave nga ana e BE-së, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar ngrirjen e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës. Kryeministri Zaev ka dhënë një intervistë për median greke euronews.gr ku është shprehur se “nëse fiken dritat e yjeve në flamurin e BE-së, atëherë në Ballkan do të sundojë errësira”.

Zaev theksoi në intervistë për median greke se Maqedonia e Veriut nuk priste anëtarësimin e menjëhershëm në BE, por një përgjigje pozitive, e cila do të ishte nxitje për dy vendet ballkanike, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu dhe Shqipërinë, që të vazhdonin në rrugën e duhur.


Sipas Zaev, pas refuzimit të hapjes së negociatave, disa dispozita të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës janë në rrezik.

“Ka një lidhje mes zbatimit të marrëveshjes dhe fondeve në rastin e hapjes së negociatave. Lidhja ekziston sepse miqtë tanë grekë kanë pranuar që të bënim marrëveshjen e Prespës për shkak të së ardhmes që Maqedonia e Veriut ka në Bashkimin Europian. Por, në këto kushte, Marrëveshja nuk mund të realizohet. Një pjesë e saj do të pezullohet sepse nuk mund të implementohet. Ne do të përpiqemi të implementojmë disa dispozita të caktuara, por procesi është i ndërlidhur nga të dyja palët sepse shkëmbimi i fondeve do të thotë që ne t’i dorëzojmë Bashkimit Europian sovranitetin tonë kombëtar”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Zaev tha gjithashtu se perspektiva për Maqedoninë e Veriut, për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, është perspektiva europiane, në të kundërt rajoni do të përballet me zhvillime të pakëndshme.

Pika kryesore e Marrëveshjes së Prespës ishte ndryshimi i emrit të Maqedonisë gjë që u pranua dhe u plotësua si një kusht për të fituar çeljen e negociatave me BE. Por liderët e BE-së nuk e mbajtën fjalën dhe pavarësisht se Maqedonia ndryshoi emrin duke u quajtur sot Maqedonia e Veriut nuk e mori vendimin e premtuar për çeljen e negociatave. Tani kryeministri Zaev thotë se pikat e tjera të Marrëveshjes së Prespës nuk mund të zbatohen. Një ditë më herët edhe kryeministri shqiptar Rama foli ashpër kundër BE-së duke thënë se mos mbajtja e premtimit për herë të dytë nga ana e saj, ul besueshmërinë e Rajonit tek BE.




Skip to toolbar