Pas Suel Çelës, lirohet edhe “rivali”, Florenc Çapja. Bien akuzat për vrasje

AKTUALITET


Gjykata e Elbasanit ka pushuar çështjen ndaj Florenc Çapjes i arrestuar me bujë pak muaj më parë me akuzën e tentativës për vrasjen e ish-shefit të policisë rrugore Fadil Mema si dhe pengmarrjen e Bledar Karajt. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli në Elbasan, i cili argumentoi se çështja nuk ka prova të mjaftueshme për dënimin e Florenc Çapjas ndaj dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu. Kjo është hera e tretë që Florenc Çapja i shpëton drejtësisë shqiptare për këtë ngjarje, pasi gjykata gjithmonë ka dalë në përfundimin se mungojnë provat.

Vendimi për lirimin nga burgu të Çapjas erdhi në po të njejtën ditë kur e njëjta gjykatë, e Elbasanit liroi nga burgu edhe Suel Çelën, edhe ky një emër i njohur për policinë e Elbasanit, pjesë e grupit rival të Çapjave. Çela u akuzua fillimisht për goditje të punonjësve të policisë, e cila më pas u zbut në “mosbindje” deri në pushimin e plotë të çështjes.


Ndërsa Florenc Çapja u arrestua në qershor gjatë një aksioni të madh të FNSH dhe RENEA me akuzën e tentativës për vrasje të ish-shefit të Policisë Rrugore, Fadil Mema si edhe pengmarrjen e Bledar Karajt.

Operacioni u shtri në të gjithë qytetin e Elbasanin ku u kryen dhjetëra kontrolle banesash, ku janë sekuestruar armë, drogë, plumba, thika, dylbi dhe sende të tjera të paligjshme. Ndërkohë që u shoqëruan më shumë se 50 persona, mes tyre dhe Ardian Çapja.

Ndërkohë gjatë të mërkurës, i njëjti gjyqtar, Tomor Kullolli në Elbasan, në një proces tjetër penal dënoi me 10 vite burg Shkëlzen Hasanpapajn, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas në qendër të Elbasanit, ngjarje e ndodhur në vitin 2016.




Skip to toolbar