Breshëri automatiku ndaj Çapjave, 10 vite burg për Shkëlzen Hasanpapaj

AKTUALITET


Shkëlzen Hasanpapaj është dënuar me 10 vite burg për atentatin me breshëri automatiku ndaj Florenc Çapjas e Bledar Muçës. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2016, kur i riu Shkëlzen Hasanpapaj i veshur me uniformë ushtrie sulmoi me automatik mjetin ku udhëtonin dy anëtarët e fisit të njohur për policinë e Elbasanit, konkretisht Florenc Çapja dhe Bledar Muça.

Për shkak se makina ishte e blinduar, nga të shtënat i plagosur mbeti Bledar Muça që ishte në vendin e parë të pasagjerit në makinë ku udhëtonte së bashku me kushëririn e tij Florenc  Çapja. Ndërkohë nga plumbat është plagosur në këmbë rastësisht një efektive e policisë së Elbasanit që ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës.


Atentati kishte si motiv hakmarrjen seriale mes grupeve kriminale rivale në qytetin e Elbasanit.

Pasi kreu krimin, Hasanpapaj u largua në drejtim të Holandës ku më pas u arrestua nga autoritetet e këtij shteti dhe u ekstradua në Tiranë. Edhe pse gjykata e ka dënuar me 10 vite burg, Hasanpapaj nuk i ka pranuar për asnjë moment të vetëm akuzat tentativën e vrasjes të ndodhur në qershor të 2016. Por një analizë ADN ka zbuluar identifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qendër të Elbasanit.

Gjykata e ka shpallur të riun fajtor për tentativë vrasje, ndërsa Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar 22 vjet burg në pretencë.

Prokurorët kërkuan nga Gjykata shpalljen e të riut fajtor dhe dënimin e tij për akuzat “Vrasje me paramendim ndaj një ose më shumë personave e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.




Skip to toolbar