Ambasada e Rusisë në Tiranë merr në mbrojtje Ilir Metën. Me një deklaratë zyrtare, bërë në faqen në Facebook, ambasada e Rusisë në Tiranë, ka reaguar pas shkrimit që ka botuar gazeta Sot (lexo artikullin këtu), e cila të premten ka publikuar një shkrim lidhur me intervistën që Ilir Meta kishte dhënë disa kohë më parë në një televizion rus, intervistë që u transmetua në “Real Story” të enjten në mbrëmje.
Ilir Meta deklaronte në atë intervistë se “jam rritur si edhe shumë moshatarë të mi në fëmijëri apo në rininë e hershme me letërsinë sovjetike. Madje një nga arsyet pse jam ndeshur me shumë vështirësi në jetën politike dhe mendoj që kam arritur t’i përballoj ato është sidomos sepse kam qenë shumë i ndikuar nga letërsia revolucionare sovjetike nga shkrimtarët tuaj, dhe sot mund t’ju recitoj fjalën e Oleg Koshevojit, të Fadejevit tek ‘Rojet e Rinj”.
Gazeta “Sot” i ka kushtuar një artikull kësaj deklarate të Ilir Metës, duke u shprehur se Presidenti i vendit ishte nën influencën e Rusisë. Për këtë arsye, Ambasada Ruse, ka reaguar duke akuzuar se “gazetarët e kësaj gazete vazhdojnë të bëjnë sulme të porositur ndaj Rusisë, duke prodhuar produkte të imagjinatës së tyre të sëmurë”, shkruhet fillimisht në deklaratën e Ambasadës Ruse.
Më tej, indirekt, ambasada del në mbrojte të Ilir Metës, duke shkruar se “në fakt, kjo intervistë shumë “e fshehtë” u shfaq dy herë gjatë “prime-time” të një prej kanaleve televizive më popullore rusishtfolëse në botë me një auditor teleshikuesish prej më shumë se 200 milionë njerëz. Kjo intervistë është, në të vërtetë, e vetmja përpjekje e një prej udhëheqësve shqiptarë për t’u përcjellë qytetarëve rusë një informacioni pozitiv për Shqipërinë, për t’i bindur ata të vizitojnë këtë vend dhe të shpenzojnë këtu paratë e tyre. E theksojmë, është e vetmja përpjekje. Ju kujtojmë se turizmi është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare”.