Partia Demokratike reagoi me një deklaratë për shtyp duke përshëndetur betimin e tetë prokurorëve të parë të SPAK. PD kërkon nga kjo strukturë fillimin menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar të bëhet në mënyrë të profesionale dhe të paanshme.
“Partia Demokratike përshendet fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture. Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur”, thuhet në deklartën e PD.
Më tej, Selia Blu thotë se nuk paragjykon asnjë nga prokurorët në përbërje të SPAK, pavarësisht, theksohet në deklaratë, vendimeve që ata kanë dhënë në të shkuarën e tyre. Megjithatë, Partia Demokratike kërkon që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës, për t`i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar dhe zyrtarëve të korruptuar.
“Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën”.
“Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, shtohet në deklaratë.
Për Partinë Demokratike krijimi i SPAK është një shans i ri dhe real për luftën ndaj krimit, ndërsa për krijimin e këaj strukture, PD falënderon Shtetet e bashkuara të Amerikës. “Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë”.
“Partia Demokratike falenderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë deri më tani për bërjen funksionale të SPAK dhe për gatishmërinë e treguar për të vijuar mbështetjen për funksionimin e pavarur të SPAK”, përfundon deklarata e PD.