PD denoncon kreun e Bashkisë Vau i Dejës: U dënua në Itali për vjedhje makinash

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar dokumente që sipas tij vërtetojnë se kryebashkiaku i Vaut të Dejës Mark Babani është arrestuar në Itali si pjesë e një grupi që vidhte makina.

Bardhi akuzoi kryeministrin Rama për përzgjedhjen e kandidaturës së tij në krye të Vaut të Dejës, ndërsa përmendi edhe rastin e Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe atë të Agim Kajmakut në Vorë. Bardhi i kërkoi prokurorisë që të mos zvarrisë më tej procesin por të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, dhe të fillojë ndjekjen penale ndaj Babanit.

“Media ka transmetuar përbetimet e Mark Babanit, që ai nuk ka patur kurrë problem me drejtësinë dhe se nuk ka qëndruar as 24 orë në burg. Ky është një mashtrim i Mark Babanit, që bëhet nën mbrojtjen e Edi Ramës. E vërteta është se Mark Babani është person me precedent kriminal.

Ky që shikoni është një dokument i nxjerrë nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali.

Sipas këtij dokumenti zyrtar, rezulton se: Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga Policia Italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Siçilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje”, është shprehur Bardhi.

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e PD-së duke i cilësuar ato shpifje.  Madje ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të gjitha verifikimet ndaj figurës së tij. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj ka nisur verifikimin e kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës dhe pritet së shpejti përgjigja ndaj kërkesës së bërë nga PD.



Skip to toolbar