Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e përfaqësuesve të partive të Kosovës me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ai ka thënë se këtë vendim e kanë marrë për shkak se “takimi i sotëm është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja”.
“Lidhur me takimin e sotëm të thirrur nga Zyra e BE-së në Kosovë mes Përfaqësuesit të lartë Borell me udhëheqës të partive politike, unë si kryetar dhe PDK-ja nuk do të marrim pjesë në këtë takim si gjest politik dhe mesazh se takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja – dhe çfarëdo iniciative për rinisje të procesit të dialogut me palën serbe, është i tejkaluar dhe i paqëndrueshëm derisa Kosova vazhdon me qenë peng i inateve dhe paaftësisë për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje dy forcat politike, LVV dhe LDK. Kërkojmë që mosprezenca jonë të kuptohet edhe si alarm se procesi i dialogut viteve të fundit ka degraduar si edhe nga mungesa e qëndrimit me pro-aktiv e determinues te BE-së si ndërmjetëse e këtij procesi. Kosova ka treguar në të kaluarën përkushtimin e saj në këtë proces. PDK-ja, pas krijimit të institucioneve të reja, në bazë të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve, është e gatshme të angazhohet në proces për të arritur një marrëveshje historike”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.
Sipas Veselit, takimi me Borrellin dhe ndërlidhja e dialogut me formimin e institucioneve të reja të Kosovës është i dëmshëm. Ai ka thënë se kjo s’i kontribuon vetë dialogut.
Veseli ka thënë po ashtu se mospjesëmarrja e PDK-së në këtë takim është shprehje e shqetësimit për mosliberalizim të vizave.